Prokuroria e Posaçme e SPAK ka shpallur pretencën për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka.

SPAK kërkon katër vite burgim për ish-gjyqtaren e Elbasanit për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e cila me gjykim të shkurtuar përfiton 2 vite e tetë muaj.

Ish-gjyqtares Zamira Vyshka që mori 5 mijë euro në këmbim të lirisë së Xhuljo Musai, i arrestuar për plagosje të rëndë me dashje, veçse dënimit me burg, korrupsioni i kushton edhe 3 vite heqje të drejte për të ushtruar funksione publike.

Për avokatin Ilir Pashaj, mikun e ngushtë të gjyqtares i cili negocioi me klientin dhe dy persona të tjerë për të zbutur dënimin e një të burgosuri, SPAK kërkon dënimin e tij me 2 vite e gjashtë muaj burgim, i cili me gjykim të shkurtuar, përfiton një vit e tetë muaj burgim, si dhe 2 vite heqje të drejte për të ushtruar funksione publike.

Deklarimin fajtor të të pandehurës Zamira Vyshka për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/s të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim. Në aplikim te nenit 406 të K.Pr. Penale, dënimin përfundimisht me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit te vendimit me burgim dhe vënien në provë te tij për një periudhë 2(dy) vjet, për pjesën e mbetur të dënimit. Në aplikim të nenit 35 të K. Penal “Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike”, për një periudhë 3 (tre) vjet.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Pashaj për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv teë gjyqtarët, prokurorit dhe funksionareve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet e 6(gjashtë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr. Penale dënimin e tij përfundimisht me 1 (një) vit e 8 (tetë muaj burgim. Në aplikim të nenit 35 te K. Penal “Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike”, për një periudhë 2 (dy) vjet.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Taulant Ramollari për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” , në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 te K.Pr. Penale dënimin e tij përfundimisht me 2(dy) vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Andrea Tirana për kryerjen e veprës penale te “Moskallëzimit të krimit”, të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim. Në aplikim të nenit 406 te K.Pr. Penale dënimin e tij përfundimisht me 1 (vit).”-thuhet në vendimin e SPAK.

Si u arrestua gjyqtarja Zamira Vyshka

Zanafilla e hetimit duket se është bërë një shkresë e dorëzuar në Prokurorinë e Posacme, e cila sic thuhet në dosje është një kallëzim anonim, pa nënshkrimin e një personi, pa të dhëna të tjera identifikuese, por vetëm emri i kallëzuesit, Misir Musta.

Në kallëzim thuhet se gjyqtarja Zamira Vyshka, ka detyruar familjarët e të pandehurit që ajo kishte nën gjykim, për të kontraktuar si mbrojtës ligjor avokatin Ilir Pashaj, edhe ky i fundit vënë tashmë nën arrest.

Në këmbim të lirisë së të pandehurit Xhuljo Musai, i arrestuar për plagosje të rëndë me dashje, gjyqtarja Vyshka dhe avokati Pashaj, kërkuan shumën e 5,000 eurove.

Top Channel