Princi i Kurorës i Jordanisë Al Hussein bin Abdullah II dhe arkitektja saudite Rajëa Alseif u martuan të enjten në një ceremoni luksoze plot me VIP-a ndërkombëtarë, duke përfshirë Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Jill Biden dhe Princin dhe Princeshën e Uellsit.

Çifti u martua në një ceremoni tradicionale myslimane të mbajtur në Pallatin Zahran në kryeqytetin jordanez të Amanit. Ceremonia, e njohur si “katb al-ketab”, u zhvillua në një belveder të zbukuruar me lule, i vendosur midis kopshteve të rregulluara. Sapo mbaroi ceremonia, shpërthyen duartrokitjet pasi Rajëa Alseif u bë Princesha Rajëa Al Hussein, me dekret mbretëror.

Ceremonia e dasmës u ndoq në gjithë mbretërinë ndërsa 18,000 njerëz u mblodhën në një amfiteatër të lashtë romak për të parë ngjarjen më të rëndësishme në një ekran të madh. Pas ceremonisë, çifti mbretëror përshkoi Amanin me një autokolonë për të marrë pjesë në pritjen e tyre në Pallatin Al Husseiniya.

Të shoqëruar nga një bandë ushtarake, çifti qëndroi mbi një Range Rover të hapur dhe përshëndetën me dorë qytetarët që ishin rreshtuar në anë të rrugës, duke brohoritur. Huseini do të trashëgojë fronin në një nga monarkitë më të vjetra të Lindjes së Mesme.

Ai është pasardhës i drejtpërdrejtë i Profetit Muhamed, themeluesit të Islamit. Ndërkohë Alseif ka lidhje si me familjen mbretërore të Arabisë Saudite nëpërmjet nënës së saj, Azza al-Sudairi, dhe me një fis të lashtë, të shquar arab, Subai, përmes babait të saj biznesmen miliarderit, Khalid al-Saif.

Të dy Husseini dhe Alseif janë të arsimuar në SHBA. Princesha fitoi diplomën e saj të arkitekturës nga Universiteti i Syracuse në 2017.

Top Channel