Balotazhi historik i zgjedhjeve! Erdogan fiton përballë Kılıçdaroglu, numërimi i votave drejt përfundimit

28/05/2023 19:36

Tashmë Recep Tayyip Erdoğan fitoi për të tretën herë drejtimin e Turqisë, pas kandidimit në raundin e dytë presidencial për herë të parë në histori, përballë Kemal Kılıçdaroğlu.

Erdoğan, kandidati presidencial i Aleancës Popullore fitoi zgjedhjet, duke marrë 52 % të votave. Deri më tani janë numëruar mbi 98 % e votave, ndërsa mbështetësit e liderit turk kanë nisur festën.

Kutitë e votimit u hapën në orën 08:00 të mëngjesit dhe u mbyllën në orën 17:00 e më pas menjëherë nisi procesi i numërimit, i cili u zhvillua me ritme të shpejta.

Ndërsa procesi votimit është mbyllur për emigrantët që më 24 maj, ku në 73 vende me prezencë të lartë turqish u krijuan 167 pika votimi për rreth 3.5 milionë votues të regjistruar në listën zgjedhore jashtë shtetit.

Fletët e votimit të përdorura jashtë vendit u dërguan në Turqi me avionë dhe korrierë diplomatikë, për tu numëruar sot së bashku me të tjerat.

Në këtë ditë të rëndësishme për popullin turk, nuk munguan as rastet e veçanta ku nusja dhe dhëndri hodhën votën e tyre gjatë momenteve më të lumtura të jetës.

Nga ana tjetër një votuese turke nuk u paraqit e vetme në qendrat e votimit, pasi mori me vete edhe qengjin, i cili e shoqëroi në çdo moment.

Të prekurit nga tërmeti në Turqi, që janë evakuuar në zona të ndryshme, u kthyen në provincat e tyre, për të votuar. Atyre iu mundësua lëvizja me autobusë falas, nga autoritetet.

Disa nga rregullat e vendosura vetëm për këtë ditë rëndësishme janë ndalimi i shitjeve të pijeve alkoolike, vendet e argëtimit do të qëndrojnë të mbyllura dhe dasmat të nisin të zhvillohen pas mbylljes së kutive të votimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA