“Pas krijimit në dhjetor 2019, SPAK u përball me një lumë denoncimesh nga qytetarët e zhgënjyer ndër vite nga sistemi i vjetër. Gjatë 3 muajve të parë të SPAK aso kohe kishte mbi 1500 denoncime. Nga ajo çfarë është transmetuar në media, nga reklamimi i punës që ka bërë vetë SPAK, në perceptimin publik, deri më tani Prokuroria e Posaçme nuk e ka kryer misionin për të cilin u krijua; kapjen e peshqëve të mëdhenj”, u shpreh Zef Preçi.

“66 % e shqiptarëve siç është testuar në barometër por edhe në institucione të tjera të testimit rezultojnë se nuk besojnë se SPAK është një isntitucion i panvarur. Mendoj që ky është dështimi themelor i SPAK”, tha për Inside Story ish ministri drejtësisë, Ylli Manjani.

Prokuroria e Posaçme ka shprehur devotshmëri në çeljen e hetimeve Kundër Korrupsionit. Por, ato kanë qenë më tepër sasiore se sa cilësore. Kjo, do të thotë se janë goditur me shumicë përmes aksioneve spektakolare me publicitet mediatik zyrtarë të niveleve të ulta apo qytetarë të thjeshtë si rasti i fermerit.

Thënë më thjeshtë, në regjistrat e SPAk janë me dhjetëra çështje korrupsioni për zyrtarë që janë kapur me rryshfete të rëndomta.

“Sipas ligjit SPAK heton korrupsionin e nivelit nga më të ulët deri më të lartë. Ndodhur në këto kushte duke iu referuare edhe ligjit procedurial SPAK është i detyruar të hetojë çdo rast që ka të bëjë me këtë vepër penale”, u shpreh avokati Henri Bici.

“SPAK në sytë e opinionit publik është për të hetuar zyrtarët e lartë jo atë policin që pa dashje fut 5 miljë lekë në xhep”, tha ish prokurori Eugen Beci.

“Kemi parë hetime dhe vendime për shuma të vogla rryshfeti të specialsitëve të administratës së lartë në shifra 5000-1000 lekë të reja. Këto janë për statistika jo për të luftuar korrupsionin”, u shpreh avokatja Vasilika Hysi.

Ajo që u vu re në fillimet e SPAK ishte korrupsioni masiv në rrugët e Shqipërisë ku shoferë kundravajtës jepnin ryshfet te policët për tu shpëtuar ndëshkimeve të rënda. Në fillimet e saj SPAK ishte e detyruar ti hetonte këto çështje për shkak të kompetencës lëndore. Volumi i madh i këtyre çështjeve po bëhej pengesë për hetimin e çështjeve të tjera.

“Gjykata e posaçme që ka 100% ose afërsisht 100% pranueshmëri të kërkesave të prokurorëve, do të thotë që pala tjetër nuk ekziston fare praktikisht dhe do të thotë që të tjerët paskan lindur kriminelë. Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe statistikore profesionale që nuk na çon në konkluzione të mira”, tha Ylli Manjani.

“Ishte një nen i ligjit që dukej sikur ishte vënë nga ligjvënësit pa dashje por në fakt, në konsideratën time ishte një pjesë e testit. dhe kjo shkaktoi volum të panevojshëm në prokurorinë e posaçme SPAK që lidhet pikërisht me këtë korrupsionin e vogël. Korrupsioni që quhet ndryshe korrupsioni i 5 mijëlekshave. Dhe çfarë ndodhi? Ne patëm në atë kohë dënime të shumta. Ai që paguan dhe ai që merr paratë në gjyhën popullore. Në juridiksion u diskutua që çështjet e 5 mijëlekshave nuk duhet ti hetojë SPAK. Mbi 100 çështje pati vetëm çështje të policisë rrugore ku vetë efektivët e denonconin qytetarin pati një impakt”, u shpreh gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Policët asokohe kishin frikë dhe në momentin që iu ofroheshin lekë për të bërë një sy qorr e një vesh shurdh për shkelje të ndryshme, i denonconin pasi neni i ligjit i nxiti frikën. Por më pas neni u ndryshua dhe rastet e reja kaluan në prokuroritë e juridiskionit të zakonshëm.

Top Channel