Lule për të blerë libra/ Nisma e nxënësve të shkollës “Besëlidhja” në Lezhë

08/05/2023 15:25

Nxënësit e shkollës “Besëlidhja” shitën lule për të blerë libra për Bibliotekën e shkollës së tyre.

Të mbjella nga vetë ata, duke u kujdesur për çdo detaj, që nga vazot e ricikluara e deri tek mbjellja, kjo është një traditë e përvitshme.

Prej 9 vitesh këta nxënës prezantojnë gjithçka që ka të bëjë me edukimin e tyre, ndaj punën e bëjnë me dashuri.

“Kemi një projekt ku shesim lule për të pasuruar bibliotekën e shkollës”, thotë një nxënëse.

Organizatorja Lulzime Celami thotë se kjo shkon për edukimin e fëmijëve dhe zbukuron qytetin.

“Është një risi sepse nuk janë vetëm nxënësit e klasës së parë. Të gjithë e kanë përqafuar si ide dhe sot ja ku jemi”.

Të shumtë ishin dhe qytetarët, të cilët iu bashkuan nismës së fëmijëve, duke blerë lule.

“Iniciativa e fëmijëve na bën që edhe ne të rriturit të mendojmë dhe të jemi më të dobishëm”, thotë një qytetar.

Panairit iu bashkua dhe një mike speciale për fëmijët, moderatorja e “Ftesë në 5” Bieta Sulo, e cila është bërë pjesë që prej fillimit të procesit të mbjelljes së luleve.

“Është mesazhi për të cilin kanë nevojë fëmijët dhe të rriturit. Të marrim pjesë në punë që na angazhojnë mendërisht, na japim qetësi, na japin buzëqeshje dhe jemi në ndihmë të natyrës”.

Nisur si një aktivitet i një klase të vetme, tashmë është përfshirë e gjithë shkolla, duke bërë që deri tani të numërohen më shumë se 200 tituj librash të blerë.

Top Channel