Në shumë ferma shqiptare qumështi po prodhohet me aflatoksinë, si pasojë e ushqimit të të gjallëve. Unë ndodhem në fermën e Hasim Rizvanit, që ka 140 krerë lopë. Ai thotë se në shumë raste fabrikat ia kanë refuzuar qumështin dhe është detyruar që 10 kuintalë qumësht t’i hedhë në kanal.
“Problemi i qumështit ka filluar që në momentin kur u shtuan kërkesat e BE-së. Në fillim niveli i aflatoksinës na dilte 400-500, ndërsa më pas erdhëm duke e ulur. Por nuk e mbajmë dot këtë normë, pasi aflatoksina ndodhet në ushqim. Qumështin mbi 50 nuk ta merr fabrika dhe unë e hedh, pasi s’kam çfarë të bëj”, ka thënë Hasim Rizbani, blegtor.
Për të parandaluar humbjet financiare, Hasimi është detyruar të blejë vetë një pajisje laboratorike që mat nivelin e aflatoksinës. Këtë vendim e mori pasi as Ministria e Bujqësisë dhe as AKU-ja nuk i erdhën në ndihmë për të parandaluar prodhimin e qumështit me aflatoksinë, që vë në rrezik shëndetin tonë.
“Ja, ky është qumështi i freskët. Pa analizë nuk e dorëzoj dot”, u shpreh Rizvani.
Nusja e shtëpisë është ajo që di të përdorë pajisjen, e cila është vënë në përdorim të të gjithë fshatit.
“Është pak strikte si procedurë. Ja, e matim dhe është në nivel. Sot qumështi do të dorëzohet në fabrikë”.
Hasimi thotë se, nëse situata ekonomike nuk përmirësohet, atëherë ai do të shkojë në vendin e origjinës, në Serbi, sepse ai shtet i ofron shumë më tepër se vendi ynë.
“Shiko, ky është misri im, del me aflatoksinë. Kroati jo, nuk e di pse. Do iki në Serbi. Aty më ofrohet gjithçka, me dokumente dhe tokë sa të dua unë”, vijoi ai.
Ky fermer sot arriti të prodhojë qumësht pa aflatoksinë dhe kjo nuk erdhi nga vullneti i Ministrisë së Bujqësisë apo AKU-së, por nga vullneti i vetë fermerit. Përfundimi është që ai arriti të prodhojë qumësht të freskët e të shëndetshëm.
Top Channel