Njësia Policore Detare, e përbërë nga 104 punonjës nis punën sot, e cila pritet të sigurojë jetën e pushuesve në bregdetin shqiptar.
Njësia do t’i shërbejë edhe për monitorimin e të gjitha mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, që përdorin hapësirën ujore shqiptare gjatë sezonit turistik veror.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në prezantimin e Njësisë së re në Lungomare të Vlorës, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Blendi Çuçi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, si dhe drejtues të lartë dhe efektivë të policisë.
104 punonjësit janë të përzgjedhur nga Policia Kufitare & Migracionit dhe Policia e Rendit, e trajnuar dhe e certifikuar nga specialistë të Rojës Bregdetare Shqiptare në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit & Migracionit.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij iu drejtua në mënyrë të prerë punonjësve që do të angazhohen në këtë detyrë, duke theksuar se çdokush që e shkel këtë do të përballet me ndëshkim maksimal.
Rama: Ky është mision, kjo nuk është thjeshtë një detyrë. Ky është një mision për popullin shqiptar, për kombin shqiptar, për shtetin shqiptar dhe çdokush që shkel një fije sensin e këtij misioni, çdokush që sillet padenjësisht me ata që vijnë në shtëpinë tonë apo që lëvizin nga shtëpia e tyre këtu, për të shkuar e për të pushuar, do të marrin ndëshkimin më maksimal sepse duhet të konsiderohet në pozicion armiqësor me këtë mision kombëtar, i padenjë për të qenë pjesë e kësaj force.
Rama solli në vëmendje edhe ngjarjen e rëndë të ndodhur një vit më parë në Potam, ku ish-polici Arjan Tase përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdia.
Rama: Akti kriminal i atij individi që turpëroi gjithë Policinë e Shtetit, që i uli kokën shtetit, që na bëri të gjithëve të skuqemi si asnjëherë tjetër, duhet t’ju shërbejë të gjithëve ju dhe duhet t’i shërbejë të gjithë punonjësve të Policisë si një kambanë që duhet t’i bjerë alarmit në kokë sa të dilni nga shtëpia e deri sa të ktheheni në shtëpi për të bërë jo të njëjtën gjë, por për të mos bërë asgjë nga ato që pastaj turpërojnë jo thjesht familjet tuaja, por turpërojnë gjithë bashkësinë e uniformave blu dhe turpërojnë gjithë shtetin shqiptar.
Kryeministri Edi Rama: Sezoni i shkuar turistik veror, i cili ishte në të gjitha aspektet sezoni më i suksesshëm për turizmin në Shqipëri, u përgjak dhe u njollos rëndë nga një ngjarje, e cila revoltoi të madh e të vogël dhe hidhëroi gjithë Shqipërinë. Një ngjarje e provokuar nga një pjesëtar i padenjë, një shëmbëlltyrë e së keqes në komunitetin e forcave të Policisë. Humbi jetën një vogëlushe krejtësisht pa asnjë arsye në botë dhe doli në pah një tjetër dobësi e shtetit në përballjen me një peshë krejt të re, si rezultat i një transformimi të vazhdueshëm të sezonit turistik dhe i futjes në këtë sezon i mjeteve të ujit, të cilat janë shtuar ndjeshëm por duke shtuar ndjeshëm dhe rrezikshmërinë për pushuesit, duke shtuar ndjeshëm një stres të pamerituar për ata që shkojnë në bregdet dhe duke shtuar ndjeshëm edhe shkallën e përgjegjësisë së forcave të Policisë dhe përkatësisht, të Policisë Kufitare.
Njësoj si në Shqipërinë e fillim viteve ’90, kur rrugët e Shqipërisë në mënyrë të shpejtë dhe të beftë filluan të mbushen me makina private dhe kjo u shoqërua me krijimin e një thertoreje rrugësh nga kjo risi e madhe e shoqëruar me mungesën e kulturës së drejtimit të mjeteve, e shoqëruar me mungesën e standardeve të sigurisë, e shoqëruar me mungesën e përgatitjes së forcave të policisë rrugore për të përballur atë prurje masive që solli ndryshimi i sistemit. Natyrisht në shkallë më të vogël, por kjo e ujit është e njëjta gjë.
U desh ajo tragjedi tronditëse për të reaguar me një reflektim të thellë dhe për të nxjerrë një mësim të madh dhe për t’iu përgjigjur sfidës së re të një rreziku të shtuar në brigjet tona me krijimin e një njësie speciale të ujit, e cila sot është këtu së bashku me të gjithë mjetet e nevojshme për ta vënë plotësisht nën kontroll aktivitetin në ujë të mjeteve lundruese private.
Natyrisht, në radhë të parë kërkohet qartësi e plotë e të gjithë njësisë, e të gjithë punonjësve të kësaj njësie se cilat janë detyrat e tyre, kërkohet motivim i plotë për t’i kryer këto detyra me përpikmëri dhe kërkohet vetëdije e plotë për të mos bërë u pjesë e problemit, por për të kuptuar dhe për të punuar orë e çast me angazhimin e plotë që këto mjete lundruese do jenë në ujërat e Republikës së Shqipërisë gjatë sezonit turistik për të zgjidhur çdo problem që mund të shfaqet, që nga ndalimi dhe marrja e masave të menjëhershme në vend ndaj atyre që nuk i përdorin mjetet lundruese sipas rregullave dhe bëhet rrezik. Jo vetëm rrezik, por edhe stres për pushuesit me akrobacitë e tyre motorike aty ku të tjerët duhet të bëjnë plazh e deri tek ndihma e shpejtë për ata që mund të kenë nevojë për ndihmë në ujë.
Kjo patjetër kërkon një koordinim shumë të mirë edhe me Policinë që gjendet në tokë, me të gjitha drejtoritë dhe komisariatet e Policisë që mbulojnë territorin e bregdetit apo vijave liqenore, në mënyrë që ndërveprimi të çojë në neutralizim të çdo problematike.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, së bashku me Ministrinë e Brendshme kanë përgatitur edhe gjithë hartën e lëvizjeve, të ndalesave dhe të mundësive për veprim të mjeteve lundruese të të gjithë kalibrave sepse problemet lindin që nga ata motoskafët e shpejtë deri tek motorët e ujit të individëve që e kthejnë plazhin në një skenë shfaqjesh të rrezikshme dhe kjo hartë patjetër që duhet të bëhet e gjithë puna që të jetë sa më e lexuar dhe sa më e kuptuar nga të gjithë ata që frekuentojnë bregdetin, por në radhë të parë duhet të jetë busulla e çdonjërit prej jush dhe çdonjërit prej atyre që janë në forcat e mbrojtjes së rendit në ujë dhe mbrojtjes së rendit në vijat bregdetare apo në vijat liqenore.
Akti kriminal i atij individi që turpëroi gjithë Policinë e Shtetit, që i uli kokën shtetit, që na bëri të gjithëve të skuqemi si asnjëherë tjetër, duhet t’ju shërbejë të gjithëve ju dhe duhet t’i shërbejë të gjithë punonjësve të Policisë si një kambanë që duhet t’i bjerë alarmit në kokë sa të dilni nga shtëpia e deri sa të ktheheni në shtëpi për të bërë jo të njëjtën gjë, por për të mos bërë asgjë nga ato që pastaj turpërojnë jo thjesht familjet tuaja, por turpërojnë gjithë bashkësinë e uniformave blu dhe turpërojnë gjithë shtetin shqiptar.
Unë e pata premtuar që kjo njësi do të mbante emrin e vogëlushes dhe në mirëkuptim të plotë me familjen e saj, u ra dakord që kjo gjë të mos bëhet, por nga ana tjetër, ai kujtim duhet të jetë motivi i punës, motivi i mundit dhe motivi i suksesit të kësaj njësie, që ajo humbje e tmerrshme e familjes, që ajo dhembje e tmerrshme e gjithë popullit shqiptar, të shërbejë që fëmijët, prindërit, familjet, vizitorët, turistët, të ndihen të sigurtë, të ndihen të qetë, të ndihen të lumtur në ato ditë që mezi i presin për të pushuar dhe për të marrë energji të reja për të vazhduar pastaj vitin.
Uroj që kështu të ndodhë dhe shpresoj shumë që në këtë sezon që do të jetë dhe më i vështirë se ai i mëparshmi, se do të kemi numra edhe më të mëdhenj vizitorësh, do të kemi aktivitet dhe më të madh në akset rrugoret, do të kemi dyndje edhe më të madhe nëpër të gjitha zonat e nxehta turistike, të përballet me dinjitet nga të gjithë komisariatet, të përballet me dinjitet nga të gjithë drejtuesit dhe kompromiset, mbylljet e veshëve , duart e shtrira për bakshishe për të lejuar zhurma pseudomuzike përtej afat, t’i përkasin të shkuarës; bizneset të ndjehen në shtëpinë e tyre të patrazuar nga askush dhe nga asgjë dhe asnjë të mos ndihet i fyer sepse atij i mbyllet muzika sipas rregullit ndërsa atij tjetrit në krah, i lihet muzika kundër rregullit.
Unë i kam kërkuar drejtorit të përgjithshëm që për çdo rast të tillë, masa ndaj drejtuesit të policisë së qarkut, ndaj shefit të komisariatit dhe ndaj atyre që mbulojnë zonën të jetë drastike, të jetë e menjëhershme dhe të jetë largim pa kthim nga Policia e Shtetit sepse nëse duam dhe unë dua dhe të gjithë duan, ata që i duan të mirën këtij vendi, që ky vend të bëhet kampion i Ballkanit në turizëm në vitin 2030, në radhë të parë kjo do të thotë që ky vend të garantojë për çdo turist, për çdo vizitor, për çdo pushues shqiptar apo të huaj, një qetësi, një rregull, një pastërti, një lehtësi të paharrueshme, që të huajt që vijnë këtu dhe që janë gjithmonë e më shumë të shumtë në numër, të largohen me kujtimin se në Shqipëri gjetën atë që nuk e prisnin. Respekt, siguri dhe mirësjellje absolute, në radhë të parë nga punonjësit e Policisë së Shtetit, nga punonjësit e Policisë Rrugore, nga punonjësit në territoret turistike dhe natyrisht edhe tani nga punonjësit e njësisë së re të kontrollit dhe të garantimit të sigurisë dhe të qetësisë në ujërat e brigjeve shqiptare.
Ky është mision, kjo nuk është thjeshtë një detyrë. Ky është një mision për popullin shqiptar, për kombin shqiptar, për shtetin shqiptar dhe çdokush që shkel një fije sensin e këtij misioni, çdokush që sillet padenjësisht me ata që vijnë në shtëpinë tonë apo që lëvizin nga shtëpia e tyre këtu, për të shkuar e për të pushuar, do të marrin ndëshkimin më maksimal sepse duhet të konsiderohet në pozicion armiqësor me këtë mision kombëtar, i padenjë për të qenë pjesë e kësaj force.
Me këto fjalë unë ju falenderoj për punën që bëni. Falenderoj me mirënjohje dhe respekt të gjithë ata punonjës të Policisë dhe drejtues policie që na nderojnë dhe uroj shumë që bilanci i këtij sezoni turistik për Policinë e Shtetit të jetë një bilanc që të na bëjë të gjithëve krenarë për atë që bëmë dhe natyrisht pastaj të nxjerrim mësimet dhe të vazhdojmë të përmirësohemi.
Kjo është një ditë e shënuar, një ditë e bukur, një ditë kuptimplotë për faktin se jemi përpara shembullit të një mësimit të nxjerrë nga fillimi deri në fund.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Top Channel