Ndërsa Serbia dhe Ballkani po kalojnë një tronditje të madhe për vrasjen e tetë nxënësve dhe një roje sigurie nga një 13-vjeçar në një shkollë të Beogradit, autoritetet kanë shpallur tri ditë zie dhe kanë njoftuar mundësinë e forcimit të kontrollit të armëve dhe politikave të ndëshkimit.

Nxënësi i klasës së shtatë, inicialet e të cilit janë K. K, nga të shtënat, ka plagosur mësuesin dhe gjashtë nxënës të tjerë, tha policia.

Të gjithë fëmijët e vrarë kanë lindur nga viti 2009 deri në vitin 2011. Shtatë vajza dhe një djalë kanë vdekur, mes tyre edhe një shtetas i Francës, konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme të atij vendi.

Ende nuk dihet motivi i të dyshuarit. Policia ka ndaluar babanë dhe nënën e djalit të 13-vjeçarit.

Mjekët thonë se dy fëmijë nga gjithsej shtatë të plagosur, mes tyre edhe mësuesja janë në gjendje kritike.

Të mërkurën në mbrëmje në qendër të Beogradit, një numër i madh njerëzish ndezën qirinj dhe dërguan lule dhe lodra para shkollës ku u krye krimi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, propozoi që në dy vitet e ardhshme të vendoset një moratorium për posedimin dhe mbajtjen e armëve, si dhe të bëhet rishikimi i të gjitha lejeve të dhëna për armëmbajtje.

Vuçiç propozoi gjithashtu që të shqyrtohet ulja e përgjegjësisë penale të të miturve nga 14 në 12.

“Nga ky moment djali ndodhet në një vend të veçantë, do të vendoset në një pjesë të posaçme të Klinikës për Neuropsikiatri, babai i tij si posedues i një arme që qartazi e mbante pa leje, e ka ruajtur në mënyrë të paligjshme, edhe pse mund t’i kishte të gjitha lejet, u arrestua dhe nëna e tij u dërgua në paraburgim”, tha Vuçiç në konferencën për media.

Në vitin 2019 është vlerësuar se në Serbi ka 39.1 armë për 100 banorë, sipas të cilave Serbia ndan vendin e tretë në botë, së bashku me Malin e Zi dhe pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Jemenit.
Të dhënat e organizatës Small Arms Survey tregojnë se në Serbinë me një popullsi prej 6.7 milionë banorësh ka 2.7 milionë armë, nga të cilat 1.5 milionë janë të paregjistruara.

Veselin Miliç, shef i policisë së Beogradit, ka bërë të ditur se studenti i dyshuar e ka planifikuar krimin për një kohë të gjatë dhe se tek ai janë gjetur dy pistoleta që ia ka marrë babait të tij, si dhe katër kokteje molotov.

Në deklaratën e tij për RTS, ai ka thënë se i dyshuari “thirri policinë dhe tha se ka qëlluar njerëzit në shkollë”.

Tre orë pas të shtënave, Ministria e Brendshme njoftoi se mbetën të vrarë tetë fëmijë dhe një roje, ndërsa u plagosën gjashtë fëmijë dhe një mësuese e shkollës.
Dyshohet se ai ka qëlluar disa herë me armën e babait të tij në drejtim të nxënësve dhe punonjësve të sigurimit të kësaj shkolle.

“Në 40 vitet e shërbimit tim, kjo është ndoshta përvoja më e tmerrshme si mjeke dhe si person”, tha në konferencën për shtyp Danica Grujicic, ministre e Shëndetësisë, me lot në sy.

Ajo tha se nga gjashtë të plagosurit, dy janë në gjendje kritike, një vajzë dhe një mësuese.

Ministri i Arsimit, Branko Ruzhiç e quajti sulmin në shkollë “një akt kafshëror” dhe “tragjedinë më të madhe që i ka ndodhur Serbisë dhe sistemit tonë arsimor në historinë e fundit”.

“Askush nuk mund t’i kthejë fëmijët te prindërit e tyre”, tha ai, duke shpallur tre ditë zie kombëtare, nga 5 deri më 7 maj.

Një ditë pas të shtënave, Milika Ashanin, drejtoresha e Qendrës Klinike të Serbisë, tha për RTS se nga katër të plagosurit që janë trajtuar në atë institucion, tre janë mirë, ndërsa një fëmijë është ende në gjendje kritike.

“Nxënësit dhe mësuesja janë mirë. Pacienti i katërt, pacienti më i rëndë, i cili u soll me plagë të rënda dhe komplekse me armë zjarri në qafë, gjoks dhe shtyllën kurrizore, ishte në operacion gjatë gjithë ditës. Ai është më mirë, është zgjuar dhe duhet të kemi shumë kujdes sepse gjendja është ende kritike”, tha Ashanin.

Në një spital tjetër, në Klinikën e Fëmijëve në Tiršova, janë trajtuar tre fëmijë të plagosur.

Siniša Duçiç, drejtor i spitalit në Tiršovë, tha se vajza është në gjendje kritike dhe se mjekët po luftojnë për jetën e saj.
Ndërsa dy djem me plagë me armë zjarri në këmbë janë në gjendje të qëndrueshme, shtoi ai.

FOTO GALERI
8/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA