Tetë nxënës dhe një roje janë vrarë nga një adoleshent këtë mëngjes në një shkollë fillore në Beograd.

I mituri K. K. 14 vjeç rreth orës 8 të mëngjesit të sotëm gjithashtu ka plagosur rëndë mësuesin e historisë me armën e të atit si dhe disa të tjerë.

Sipas mediave serbe, ai kishte një kapuç të zi në kokë dhe po ecte i qetë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Dyshohet se ai ka marrë një armë herët mëngjesin e sotëm dhe ka shkuar në shkollën“Vladislav Ribnikar”.

Sipas informacioneve, ai fillimisht ka debatuar me rojën e sigurisë së shkollës, ka nisur ta sulmojë dhe më pas e ka qëlluar me gjakftohtësi.

Më pas ai ka hyrë në orën e historisë dhe ka nisur të qëllojë mbi nxënësit.

Tri fëmijë janë shtruar në Klinikën Universitare të Fëmijëve në rrugën Trišova, dy janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa një fëmijë është në gjendje kritike.

Sipas informacioneve jozyrtare më shumë se dhjetë fëmijë të plagosur janë transportuar në Qendrën Emergjente.

Nuk dihen ende motivet të cilat e kanë shtyrë adoleshentin të kryente këtë masakër brenda ambienteve të shkollës fillore, ku ishte regjistruar.

Ndonëse ngjarje të tilla tragjike ndodhin kryesisht në Amerikë, ato nuk janë të rralla as në Ballkan.

Vitin e kaluar, një vrasje masive ndodhi në Cetinje të Malit të Zi , kur një sulmues vrau 10 persona, duke përfshirë dy fëmijë.
Vlerësohet se qytetarët në rajon kanë nëntë herë më shumë armë se ushtria dhe policia, dhe për sa i përket sasisë së armëve për frymë, Serbia dhe Mali i Zi prijnë, sipas Anketës globale të Armëve të Vogla nga viti 2018.

Një nga rastet e fundit të të shtënave në shkolla në Serbi është regjistruar në shtator të vitit 2019 në Velika Plana, rreth 100 kilometra larg Beogradit. Një burrë i panjohur hyri me automatik në klasën e filozofisë së shkollës së mesme. Ai qëlloi, por nuk pati asnjë të lënduar.

FOTO GALERI
6/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA