SHBA: Rusia humbi 20 mijë vetë në Ukrainë nga dhjetori, 80 mijë u plagosën

02/05/2023 09:55

Rusisë i janë vrarë 20 mijë ushtarë në Ukrainë që nga muaji dhjetor, e 80 mijë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Gjysma e të vdekurve, sipas zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i përkasin grupit mercenar Wagner. Qyteti lindor ukrainas i Bakhmutit, ku dy palët luftojnë prej muajsh, është kthyer në varrin e tyre, sipas zyrtarit të lartë amerikan.

“Shumë prej këtyre njerëzve ishin të dënuar që u liruan nga burgu për t’iu bashkuar luftës së Rusisë në Ukrainë. Forcat e grupit Wagner u dërguan në luftime pa trajnim të mjaftueshëm, pa udhëheqje luftarake ose logjikë komandimi dhe kontrolli organizativ”, tha John Kirby.

Nëse shifrat e ofruara prej tij janë të sakta, atëherë numri it ë vrarëve dhe të plagosurve në radhët e trupave ruse e kapërcen popullsinë që kishte përpara luftës qyteti i Bakhmutit, i cili përbëhej nga rreth 70.000 banorë.

Moska po përpiqet që prej vitit të kaluar ta marrë kontrollin e tij, por pa sukses. Beteja për qytetin e vogël – ku tani kanë mbetur vetëm disa mijëra civilë – ka marrë një rëndësi të madhe simbolike për të dyja palët.

Trupat nga grupi mercenar rus Wagner dhe forcat e tjera ruse po luftojnë kundër trupave ukrainase shtëpi më shtëpi për kontrollin e asaj që është bërë e njohur si “rruga e jetës”, rruga e fundit e mbetur në perëndim ende në duart e Ukrainës, gjë që e bën atë kritike për furnizimet dhe mbërritjen e trupave të reja ruse në zonat lindore të Ukrainës.

Kirby nuk pranoi të fliste ndërkohë lidhur me numrin e të vrarëve në mesin e forcave ukrainase. Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane Gjenerali Mark Milley pohoi në nëntor se rreth 100 mijë ukrainas ishin vrarë në luftimet me forcat ruse në tetë muajt e parë të luftës.

Top Channel