Ia kalon Kullës Eiffel, India ndërton në Kashmir urën hekurudhore më të lartë në botë

02/05/2023 11:57

India tani është shtëpia e urës më të lartë hekurudhore në botë. 

Rreth 35 metra më e lartë se Kulla Eifel, Ura Chenab ndodhet 359 metra mbi lumin Chenab në rajonin e diskutueshëm të Jammu dhe Kashmir të Indisë.

Pas dekadash ndërtimi, ura në veri të Indisë do të jetë e hapur për vizitorët deri në fund të dhjetorit 2023 ose janar 2024, tha Ministria e Hekurudhave në një njoftim për shtyp të marsit.

Ura 1,315 metra e gjatë është pjesë e një projekti më të gjerë për ta bërë Luginën e Kashmirit të aksesueshme nga rrjeti hekurudhor Indian. Përveç urës Chenab, projekti Udhampur-Srinagar-Baramulla Rail Link (USBRL) përfshin atë që do të bëhet tuneli më i gjatë i transportit në vend dhe ura e parë kabllore e Hekurudhave Indiane.

Për kryeministrin e Indisë Narendra Modi, i cili erdhi në pushtet në vitin 2014 nvestimet në infrastrukturë mund të shihen si një mjet i fuqishëm për integrimin social dhe politik, duke lidhur rajone të ndryshme me qytetet kyçe.

“Ura dhe lidhja më e madhe që synohet të krijojë do të projektohen nga Nju Delhi si një tjetër fitore e madhe për zhvillimin e rajonit”, tha Michael Kugelman, drejtor i Institutit të Azisë Jugore në Qendrën Wilson.

Ura Chenab është pjesë e përpjekjeve për të lidhur Kashmirin me pjesën tjetër të Indisë.

Lidhja e Kashmirit me pjesën tjetër të Indisë me tren do të nxisë në mënyrë specifike sektorët industrialë dhe bujqësorë të rajonit duke lejuar lidhjen hekurudhore të çdo moti midis luginës dhe pjesës tjetër të Indisë, thonë ekspertët.

Më parë, e vetmja rrugë tokësore që lidhte pjesët e kontrolluara nga India të Kashmirit me pjesën tjetër të vendit ishte autostrada kombëtare Srinagar-Jammu, 300 kilometra, e cila mbyllet gjatë një pjese të dimrit dhe është gjithashtu shpesh vendi aksidenti për automjetet.

Top Channel