Gjyqi për inceneratorët shtyhet sërish/ Nuk gjendet një e akuzuar që është në “arrest shtëpie”

20/04/2023 10:44

Ka dështuar për të katërtën herë seanca për inceneratorin e Elbasanit dhe sërish shkaktare është bërë një prej të akuzuarve, mungesa e të cilës u konsiderua nga Gjykata Antikorrupsion si fshehje nga drejtësia.

Jonida Zeqo , ish-anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave siç bëri me dije gjykata, nuk u gjet në asnjërën nga adresat e deklaruara prej saj.

Por gruaja gjatë një  komunikim virtual përmes e-mailit me gjykatën kishte kërkuar përfaqësimin nga avokati. Ky e-mail nuk u pranua nga gjykata si forma e duhur e marrjes së dijenisë, ndërsa u kundërshtua edhe nga dy prokurorët e SPAK që komentuan se nuk mund të verifikonin nëse ishte apo Jonida Zeqo personi që e dërgoi kërkesën përmes internetit.

Trupa gjyqësore deklaroi para të pranishmëve  se oficerët dhe agjentët e BKH nuk e kishin gjetur  në banesë Jonida Zeqon dhe në këto kushte ajo kishte thyer  masën e arrestit shtëpiak. Pritet që SPAK të zyrtarizojë shpalljen  në kërkim të të dyshuarës për shpërdorim detyre për inceneratorin e Elbasanit.

Ky veprim pason sorollatjet e oficerëve që gjatë javës së kaluar nuk ishin në gjendje të gjenin se ku e kishte shtëpinë Zeqo, edhe pse ajo e kishte deklaruar në seancën paraprake . Në seancë mungonte edhe ish ministri i mjedisit Lefter Koka dhe ish sekretari i përgjithshëm Alqi Bllako, përfaqësuar në gjykim nga avokatët.

Të pandehur  për inceneratorin e Elbasanit janë 10 persona, dhe ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Nga ana tjetër të dyshuarit këmbëngulin pushim të çështjes me arsyetimin se hetimi është i pabazuar në prova. Ndërkohë që avokati i Stela Gugallias dhe Mirel Mërtirit deklaroi gjatë javës se klientët e tij nuk mund të gjykohen dy herë, dhe se gjykata antikorrupsion duhet të respektojë parimin e gjëse së gjykuar sa kohë për të njëjtat rrethana gjykata e Elbasanit ka vendosur pushim të çështjes.

Top Channel