Përveç ndeshjes ndaj Feyenoordit, Roma humbi edhe dy sulmuesit titullarë Paulo Dybala e Tammy Abraham në “De Kuip”.
Të dy u zëvendësuan gjatë ndeshjes, me Dybalën që dëmtoi shpatullën gjatë një rënieje dhe Abraham që vuan nga një problem muskulor.
Ylli argjentinas pritet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën dy javë, teksa të shtunën do të kryejë edhe ekzaminimet e detajuara për të kuptuar se kur do të mund të zbresë sërish në fushë.
Megjithatë është e pamundur që të shpresohet për dy ndeshjet e radhës në kampionat dhe sfidën e kthimit ndaj Feyenoordit në “Olimpico” e planifikuar për më 20 prill.
Ndërkohë për Abraham lajm i mirë është fakti që nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Gjithsesi sulmuesi anglez do të detyrohet të qëndrojë jashtë për të paktën 4-5 javë.
Këto mungesa përkthehen në telashe të mëdha për Jose Mourinhon, që ndodhet në një moment vendimtar të sezonit me Romën e tij dhe do të duhet të bëjë pa dy prej titullarëve të sulmit.
Në fundjavë ndaj Udineses pritet që portugezi t’i besojë Bellottit majën e sulmit dhe në vend të Dybalës të luajë Stefan El Sharawii, ndërsa për sfidën e kthimit ndaj Feyenoordit, Mourinho mund të studiojë edhe një plan pa sulmues të deklaruar./ SuperSport
Top Channel