Disfata ndaj Manchester City në Champions League, shkaktoi shumë rrëmujë në dhomat e zhveshjes së Bayern Munich ku zënka që shkoi deri në konfrontim fizik mes Sadio Mane dhe Leroy Sane bëri xhiron e mediave në mbarë botën.
Ishte senegalezi ai që goditi me grusht gjermanin teksa sherri mes të dyve nisi që në fushë për shkak të një gabimi në pasim të Sane në drejtim të Mane.
Megjithatë, në klubin gjerman janë munduar ta shuajnë shpejt këtë konflikt pasi sezoni është në fazën më të rëndësishme dhe atmosfera duhet të qëndrojë pozitive. Vetë Mane e pranoi gabimin dhe kërkoi falje para skuadrës ndërsa trajneri Thomas Tuchel para ndeshjes së Bundesligas ndaj Hoffenheim, i doli në krah ish-lojtarit të Liverpool duke u shprehur në konferencë se senegalezi nuk pati faj.
“Unë Mane e njoh si një profesionist të nivelit të lartë. Nuk e shoh fajtor dhe ai ka mbështetjen time të plotë. Kërkoi falje në një mënyrë shumë të sinqertë, por ajo që bëri ishte e tepërt duke njohur edhe kodin e etikës këtu tek Bayern. Të gjithë njerëzit gabojnë, megjithatë unë në këtë rast jam avokati i Mane. E them edhe njëherë, nuk ekziston një qënie perfekte”, u shpreh Tuchel.
Top Channel