Zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe EuroAzinë, Gabriel Escobar nisi ditën e sotme një vizitë në Shqipëri me drejtuesit më të lartë të vendit.

Ai fillimisht ka shkuar në Kryeministri, ku u takua me kreun e qeverisë, Edi Ramën.

Një orë më pas ai shkoi në Presidencë për t’u takuar me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, ndërsa ishte e pranishme edhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim.

Në pamjet e publikuara nga takimi mes tyre, të tre shfaqen duke qeshur, ndërsa nuk dihet se cila është arsyeja.

Sakaq, ditën e nesërme planifikon të takohet me Enkelejd Alibeajn dhe një grup përfaqësuesish të Partisë Demokratike. Ndërkohë, zyra e shtypit të Partisë së Lirisë tregon se Escobar ditën e nesërme do të takohet edhe me ish-presidentin Ilir Meta.

Sa i përket qëllimit të kësaj vizite, tre janë çështjet kryesore që pritet të diskutohen nga Escobar dhe bashkëbiseduesit e tij:

Së pari, zgjedhjet lokale të 14 majit. Politika amerikane përmes të dërguarës së saj Yuri Kim e ka bërë të qartë se politika shqiptare duhet të ketë kandidatë të pastër pa të shkuar kriminale. Po ashtu, duhet të bëjë kujdes edhe për sa i përket financimeve të kësaj fushate elektorale.

Së dyti, çështje për diskutim është marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë. Vetë Escobar në javët e shkuara ka qenë shtysë që kjo marrëveshje të mund të vendoset në zbatim sa më parë, ndërsa pritet të kërkojë nga autoritetet shqiptare dhe vetë kryeministri Edi Rama për ta vijuar mbështetjen për këtë marrëveshje dhe nxitjen e autoriteteve të Kosovës për zbatimin e saj.

Së treti, vizita e Escobar ka të bëjë me një çështje të brendshme dhe shumë shqetësuese për Shqipërinë, siç janë sulmet kibernetike të Iranit.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës krahas asistencës në sulmin kibernetik përmes FBI-së, ka ofruar edhe mbështetje financiare dhe teknike në shtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë ndaj sulmeve të ardhshme.

Escobar pritet t’u rikonfirmojë autoriteteve shqiptare mbështetjen e SHBA-së për t’u përballur me këto sulme në të ardhmen dhe natyrshëm për të shtuar kapacitetet mbrojtëse.”

 

FOTO GALERI
12/21

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA