Banorët e lagjes Golem në Njësinë Administrative Rrethinat në qytetin e Shkodrës kanë kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare,  për rrugën e tyre. Prej shumë vitesh thonë ata në lagjen e tyre nuk është bërë asnjë investim në infrastrukturë.

Kjo lagje ndodhet vetëm 10 minuta larg qendrës së qytetit, rruga e kësaj lagjeje në kohë me shi është e pakalueshme në këmbë nga banorët. Ata thonë se edhe në ditët me diell makinat e vogla duhet të kalojnë më shumë kujdes, pasi mund të prekin në gropat e hapura.

Banorët tregojnë për gazetarët e Fiks Fare se para dy vitesh disa punonjës nga bashkia kanë ardhur dhe e kanë parë lagjen, por prej asaj kohe nuk janë dukur më.

Investimet e rrugës së lagjes janë bërë nga vetë banorët për mirëmbajtje. Ata shprehen se pushteti lokal në kohë zgjedhjesh kërkon votën, por nëse rruga nuk shtrohet nuk do shkojnë në qendër votimi.

Një i ri të thotë se në kohë me shi kur rruga është e bllokuar, atij i duhet që të marrë motrën e vogël në krahë për ta dërguar në kopsht.

Ndërsa një i moshuar tregon se ka 15 vite në atë lagje dhe është e njëjta pamje. Gazetarët e Fiks Fare bashkë me banorët shkojnë deri në krye të rrugës, ku shohin se aty është e shtruar me asfalt vetëm rruga kryesore, degëzimet e rrugëve të lagjes janë të painvestuara.

Erion Selgjekaj kryetari i Njësisë Administrative Rrethinat, thotë për gazetarët e Fiks Fare se investimet janë primare për rrugët kryesore dhe për degëzimet bashkia e tyre nuk ka fonde.

Në një bisedë jashtë kamerës së Fiks-it ai shprehet se nëse do t’i dërgonte gazetarët në lagje të tjera, këta të fundit do të  shihnin gazep me sy.

Por për rrugën e lagjes Golem, ai thotë se mirëmbahet dhe shtrohet herë pas here me çakull, ky cikël kryhet rregullisht 2 herë në vit. I pyetur nga gazetarët se çfarë do të bëhej me shtëpitë e banorëve në kohë me shi pasi uji u futet brenda, me buzëqeshje ai thotë “Nuk jemi në Zvicër”.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA