Duke nisur nga 1 prilli hyri në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale në vend në 40 mijë lekë në muaj.

Konfindustria mbështet në parim shqetësimin e ekzekutivit për rritjen e pagës minimale, por kërkon, që procesi ti nënshtrohet politikave të mirëmenduara ekonomike dhe ti shmanget me çdo kusht vendimeve populiste në prag zgjedhjesh.

“Konfindustria, vlerëson, se rritja e pagave duhet t’i nënshtrohet në thelb parimit të “produktivitetit”, pa cenuar rregullat e lirisë së funksionimit të “tregut të punës”. Ndërhyrjet në tregun e punës nga ekzekutivi për ndryshuar pagën minimale, duhet të shoqërohen me masa të kujdesshme të plota financiare dhe ekonomike mbështetëse për të shmangur problematikat për biznesin dhe krijimit të trysnive inflacioniste zinxhir me ndikim të drejtpërdrejtë te mirëqenia e qytetarëve dhe vetë qëndrueshmëria makro-ekonomike të vendit. Është njësoj sikur unë të them që bliji më shumë çokollata fëmijëve, por paratë do t’i paguash ti, jo unë”, tha Gjergj Buxhuku.

Konfindustria vlerëson, se vendimi i ekzekutivit prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë disa sektorë ekonomikë të brishtë.

Sektorët që preken janë fasonët, bujqësia, shërbimet etj. Sektorët e mësipërm punësojnë mbi 100 mijë punonjës. Vetëm sektori fason punëson afër 70 mijë punëtorë. Ndërkohë, në tërësi sektorët e ekonomisë dhe industrisë vendore e kanë tejkaluar me kohë nivelin e pagës minimale prej 40 mijë lek/muaj”, tha Buxhuku.

Konfindustria, mbështetur në të dhënat e ardhura nga bizneset dhe industritë e prekura, kryesisht eksportuese, vlerëson, se vendimi i fundit i ekzekutivit krijon problematika serioze. Së pari, preken drejtpërdrejtë kontrata ligjore punësimi të lidhura dhe që janë në vazhdim. Ndryshimi i menjëhershëm i kontratave të punës krijon rritje kostosh të paparishikuara, që cenojnë drejtpërdrejtë planet tërësore të fisibilitetit të bizneseve.

Së dyti, marrja përsipër nga ana e qeverisë për kompensimin financiar vetëm për rritjen e vlerës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është e pamjaftueshme. Së treti, nga kompensimi i mësipërm përfitojnë vetëm një numër i kufizuar sektorësh dhe jo të gjithë bizneset, që preken nga rritja e pagës minimale.

Bizneset e sektorëve të prekur mund të falimentojnë ose do të jenë të detyruar të zhvendosin prodhimin në shtete të tjera. Dukuria e zhvendosjes jashtë vendit e fabrikave është më e mundshme sidomos në sektorin e manifakturës.

Top Channel