Në Hagë vazhdon gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërsa ditën e djeshme iu dha mundësia akuzës të fliste mbi çështjen, sot ka qenë radha e palës mbrojtëse për të paraqitur argumentet.

Për emisionin “Top Talk” me Juli Xhokaxhi, avokati Tom Gashi, kryeredaktori i Telegraf, Muhamet Hajrullau, dhe pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritan Hoti, kanë deklaruar se Serbia do ta përdor këtë çështje për ta vendosur veten në një pozitë tjetër, dhe kështu siç po shkojnë punët, ka të gjarë që gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së të sjellë më shumë tensione në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, sesa normalizim të raporteve.

Pjesë nga debati:

Juli Xhokaxhi: Cfarë impakti ka ky gjyq dhe këto akuza për mbarëvajtjen e bisedimeve, dialogut, marrëveshjes së pashkruar mes Kosovës dhe Serbisë, situata e tensionuar në veri?

Tom Gashi: Është e ditur që Serbia do ta përdor gjykimin që është duke u mbajtur në Hagë, siç do ta përdornim ne në një situatë tjetër kur do të kishim establishmentin më të lartë ushtarak dhe politik të Serbisë për akuzat ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Me siguri që Serbia është duke u kënaqur që po i sheh disa nga drejtuesit e UÇK-së në të tilla pozita, ndërsa tani bota po e harron dalë nga dalë se kush kreu krimet më të tmerrshme pas Luftës së Dytë Botërore. Mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë të vrarë vetëm për shkak të përkatësisë nacionale të tyre. Kemi mbi 20 mijë gra të dhunuara, mbi 1400 fëmijë shqiptarë që u vranë vetëm për shkak të përkatësisë nacionale dhe kemi Kosovën që në kohën e luftës është kthyer në hi. Dhe për ta parandaluar gjenocidin ndaj nesh intervenojë NATO

Dritan Hoti: Serbia do të tentojë të vendosë një paralele ndërmjet krimeve dhe praktikave genocidare në Kosovë, por problemi i saj nuk qëndron këtu. Beogradi kërkon ideologjizimin e elitës dhe shoqërisë së saj politike. Deri në momentin që Serbia të jetë ideologjizuar plotësisht, ajo do të jetë nën diktatin e Perëndimit. Me revizionimin e politikave të saj etniko-fetare Serbia do të shndërrohet në një shtet normal, duke restauruar kështu ekuilibrin e paqes. Pra nuk është se do të ketë një përfitim madhor Serbia sa iu përket pozitave të saj në Evropën Juglindore. Dëgjo, nuk zhbëhet pavarësia e Kosovës dhe realiteti i ri i shqiptarëve në Ballkan. E kemi tejkaluar këtë pikë.

Muhamet Hajrullau: Ka nis procesi shumë vonë, u bën tashmë dy vjet. As Sllopodan Millosheviçit nuk i ka ndodh kjo në procesin e Hagës. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, duhet ta pranojmë se Beogradi do ta përdor këtë çështje për ta vendosur veten në një pozitë tjetër. Unë mendoj se kjo çështje do të sjell më shumë tension sesa do të shkojë mes normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Top Channel