Sulmi terrorist, ende i pazbardhur! Policia nuk ka rënë ende në gjurmë të autorëve që goditën Top Channel

03/04/2023 19:30
Pal Kola

Mëngjesi i kësaj të hëne shënoi 1 javë nga sulmi terrorist ndaj Top Channel.

Familjarët e Pal Kolës që mbeti viktimë nga breshëria e 26 plumbave të derdhur ndaj një medie kombëtare dhe gjithë opinion publik nuk e kanë ende një përgjigje nga autoritetet shqiptare se kush fshihet pas këtij sulmi.

Nga analizimi i provave dhe puna hetimore e kryer nga policia dhe prokuroria e kryeqyteti nuk është shkuar drejt një emri konkret si autor i dyshuar.

Për ngjarjen Top Channel i ka dërguar një kërkesë policisë së shtetit për tu informuar mbi hetimet por nuk ka marrë ende përgjigje.

Mesditën e sotme Kreu i policisë Muhamet Rrumbullaku zhvilloi një mbledhje gati 2 orë me vartësit për ngjarjet e pa zbardhura në kryeqytet ku për fat të keq kanë humbur jetën të pafajshmit.

Ashtu si punonjësi i sigurisë që humbi jetën nga sulmi terrorist duke qenë në krye të detyrës, edhe banakierja Mimoza Paja më 13 mars humbi jetën në lokalin ku punonte.

Në ngjarje u plagos dhe mbesa e saj e mitur si dhe 5 persona të tjerë. Në të dyja ngjarjet autorët lanë pas shumë terror, gëzhojat, armët dhe makinat e djegura, ekuacion ky me shumë të panjohura për autoritetet të cilat duket se e kanë humbur sfidën me krimin.

Top Channel