Përmes kryetares të komisionit parlamentar të ligjeve Klotilda Bushka, Partia Socialiste ngulmon se pas publikimit të dokumentave nga Top Channel ku faktohet se  Monika Krymadhi ka marrë para ruse, ish zonja e parë ka përgjegjësinë e llogaridhënies.

“Ky është një rast shqetësues  i cili ekspozon edhe një herë tjetër, skemën që ka përdorur Rusia për të minuar demokracitë europiane: financimin e partive politike. Por në vend që të japë shpjegime mbi këtë situatë, deputetja Kryemadhi ka zgjedhur të sulmojë mediat.”– tha Bushka.

Në vend që të vihet në dispozicion të organeve të drejtësisë theksoi Klotilda Bushka, deputetja Kryemadhi kërcënon dhe akuzon mediat, vetëm se ato kanë bërë detyrën e tyre.

“Njësoj siç bën partia dhe zëdhenësit e Putinit kundër zërave kritikë me të! Deputetja Kryemadhi do duhet të sqarojë se çfarë janë këto para…? Çfarë janë këto llogari offshore? Përse nuk janë deklaruar në ILDKP shumat dhe llogaritë bankare nga ku janë marrë para? A ka patur ajo biznese me rusët? A ka marrë divident? Nëse po, çfarë kërkonin rusët nga Monika Kryemadhi në këmbim të rublave? E kërkonin si deputete apo si bashkëshorten e presidentit?”- ka deklaruar Bushka.

Deputetja socialiste pati edhe një mesazh për drejtësinë.

“Drejtësia shqiptare nuk duhet të humbë kohë për të hetuar këtë rast që cënon sigurinë kombëtare të një vendi si i yni, i rreshtuar ndër të parët në krah të Ukrainës dhe kundër brutalitetit të Rusisë. Ndërkohë që Kryemadhi refuzon sqarimet, organet e drejtësisë do duhet të hetojnë për të gjitha veprimet në këtë rast, që nga mosdeklarimi, e deri te dyshimet e adresuara nga mediat për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.”– tha Bushka.

Vetëm një hetim i plotë deklaroi Klotilda Bushka,  do të mund tu japë përgjigje pyetjeve se deri ku dhe në ç’masë Kryemadhi është përfshirë me rusët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA