Zgjedhjet në Finlandë, avancon ekstremi i djathtë: Shqetësim pse u shtrenjtuan ushqimet!

01/04/2023 17:48

Politika ne Finlande mund të pësojë një zhvendosje dramatike drejt së djathtës ekstreme në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, pasi Partia e Finlandezeve kundër emigracionit synon t’i rrëmbejë frerët e pushtetit socialdemokratëve të  kryeministres “rock star” Sanna Marin.

Vetë Marin, e cila kur mori postin në 2019-tën ishte 34 vjeç, çka e bëri kryeministren më të re në botë, rezulton në anketime si shefja më popullorë e ekzekutivit në Finlandë këtë shekull. Por partia e saj ndërkohë, ka rrëshqitur në vendin e tretë në sondazhet e fundit parazgjedhore. Nga ana tjetër, mbështetja për partinë populiste te finlandezeve të ekstremit të djathtë është shtuar ndjeshëm që nga vera e vitit e kaluar, e nxitur nga rritja e kostove të energjisë dhe mallrave të tjera në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.

Në këto zgjedhje, pushtetin për të vendosur e ka populli i Finlandës, e kanë qytetarët e këtij vendi. Për këtë arsye, kam besim tek e nesërmja. Po e pres me padurim të dielën, megjithatë të shohim, nuk mund të them asgjë me siguri.“- shprehet Riikka Purra, lidere e Partisë së Finlandezeve.

Njerëzve nuk u pëlqen fakti që ushqimi është kaq i shtrenjtë tani në Finlandë, sepse ne jetojmë si një ishull dhe kemi distanca shumë të gjata nga kudo tjetër. Njerëzit besojnë se Rikka mund të japë një përgjigje për këtë.“- shprehet Mika Nikko, Partia e Finlandezeve.

Ne jemi shumë të shqetësuar nga të huajt që kanë ardhur këtu, sepse kemi sigurime shumë të mira shoqërore dhe mendojmë se një pjesë e tyre duan të përfitojnë prej kësaj. Ata nuk punojnë kur vijnë këtu, nuk flasin as finlandishten.”– shprehet Sari Ketola, infermiere.

Edhe rivali i qendrës së djathtë të kryeministres finlandeze, Sanna Marin, Petteri Orpo, ishte optimist në prag të zgjedhjeve legjislative pasi sondazhet e vendosën në krye partinë e tij.

“Ne kemi bërë një fushatë të shkëlqyer. Kemi kandidatët më të mirë në të gjithë Finlandën dhe jemi të parët në sondazhe, kështu që unë kam bindjen se do të dalim mirë”, u shpreh ai.

Top Channel