“Moti i keq më shpëtoi jetën”, profesori që mposhti depresionin falë shiut dhe stuhive
Kosova ka mbetur pa transport hekurudhor për udhëtarët, pasi punëtorët e Infrakosit kanë hyrë në grevë duke kërkuar rritjen dhe indeksimin e pagave.
Ndërprerja ka bllokuar edhe linjën e vetme aktive Prishtinë–Pejë, ndërsa sindikata paralajmëron se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave.
Qarkullimi i trenave të udhëtarëve në Kosovë është ndërprerë të hënën, më 9 nëntor, pasi punëtorët e ndërmarrjes publike Infrakos kanë nisur grevën për shkak të pakënaqësive me nivelin e pagave dhe kushtet e punës.
Vendimi ka prekur të gjithë transportin e rregullt hekurudhor të udhëtarëve, pasi linja Prishtinë–Pejë ishte e vetmja që funksiononte aktualisht në vend.
Sipas njoftimit të Trainkos, treni që ishte planifikuar të nisej nga Prishtina në orën 07:50 nuk ka mundur ta përfundojë udhëtimin, duke u ndalur në Fushë Kosovë, për shkak të ndërprerjes së shërbimeve infrastrukturore nga Infrakos, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ndërprerja e këtyre shërbimeve ka bërë të pamundur edhe qarkullimin e trenave të tjerë, duke lënë pa alternativë hekurudhore udhëtarët që përdorin këtë linjë.
Përfaqësuesit e punëtorëve thonë se kërkesa kryesore është indeksimi i pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve, në mënyrë që ato të reflektojnë kualifikimet, përgjegjësitë dhe pozitat e punës.
Hysen Nikqi nga Këshilli Grevist i Infrakosit ka deklaruar për Radio Evropa e Lirë se pakënaqësitë janë shtuar pas rritjes së pagës minimale në 500 euro nga korriku i këtij viti.
Sipas tij, pagat e punonjësve të tjerë nuk janë rritur në mënyrë proporcionale, duke ngushtuar dallimet mes pozitave të ndryshme brenda ndërmarrjes.
Ai ka theksuar se aktualisht diferenca në paga mes inxhinierëve dhe punëtorëve teknikë apo shërbyes është shumë e vogël dhe nuk pasqyron përgjegjësitë që kanë këto pozita.
Infrakos ka rreth 200 punëtorë, ndërsa sindikata kërkon edhe rritjen e kompensimit për ushqim dhe pagesën retroaktive për tre muajt e fundit.
Punëtorët paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga greva pa një zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre.
Sipas përfaqësuesve të sindikatës, ndërprerja e punës ishte paralajmëruar edhe më herët, përmes protestës së mbajtur më 26 tetor para stacionit hekurudhor në Fushë Kosovë.
Përveç pagave, atëherë punëtorët kishin kërkuar edhe përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë në vendin e punës.
Deri në publikimin e raportimit të Radio Evropa e Lirë, menaxhmenti i Infrakosit nuk kishte dhënë përgjigje lidhur me pagat mesatare të punonjësve dhe mundësitë për zgjidhjen e situatës.
Ndërprerja e transportit vjen në një kohë kur sektori hekurudhor në Kosovë vazhdon të përballet me infrastrukturë të vjetruar, mungesë investimesh dhe vonesa në projektet e rehabilitimit.
Top Channel