Me 39 mijë euro në banesë dhe pistoletë me fishek në fole, shpallet në kërkim 33-vjeçari në Vlorë

01/04/2023 12:54

Një 33-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi iu gjetën në shtëpi 39 mijë euro dhe pistoletë me fishek në fole gati për qitje.

R. Sh., 33 vjeç, banues në në lagjen “Pavarësia” të Vlorës dyshohet se është pjesë e grupi kriminal dhe akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Forca e Posaçme Operacionale dhe disa grupe të FNSh-së ushtruan kontrolle në banesa të ndryshme, të cilat dyshohet se janë përdorur nga pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale.

Njoftimi i plotë Vlorë

Kontrolle intensive të befasishme, për kapjen e shtetasve me rekorde të theksuara penale, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale. Forca e Posaçme Operacionale dhe disa grupe të FNSh-së, kontrolle në ambiente të ndryshme, të dyshuara të përdorura nga pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale. Sekuestrohen në banesën e pjesëtarit të një grupi kriminal, 39000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e grupit kriminal, si dhe një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje.

Shpallet në kërkim pronari i banesës, pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e krimeve të rënda kundër personit.

Strukurat hetimore dhe ato operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me disa grupe të FNSh-së, në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Shtetit për të mbajtur në kontroll situatën kriminale, për të goditur rastet e mbajtjes së armëve të zjarrit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve me rekorde penale në kuadër të grupeve kriminale, kanë kryer kontrolle të befasishme në disa ambiente (kryesisht banesa) që dyshohet se përdoren nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit në banesën e pjesëtarit të një grupi kriminal me veprimtari në fushën e krimeve të rënda kundër personit, në lagjen “Pavarësia”, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, municion luftarak dhe shumën 39 000 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e këtij grupi kriminal.

Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim shtetasi R. Sh., 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.

Kontrollet intensive do të vijojnë në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel