Sulmi terrorist ende pa autor! 5 ditë pas të shtënave ndaj Top Channel, vrasësit e rojës ende të lirë

31/03/2023 12:30

Ditën e pestë të sulmit terrorist, familjarët e punonjësit të sigurisë Pal Kola, që humbi jetën në krye të detyrës dhe punonjës të Top Channel, por edhe gazetarë të tjerë që ushtrojnë fjalën e lirë në vendin tonë janë të shqetësuar për mos zbardhjen e këtij krimi të rëndë.

Pavarësisht se policia po heton e analizon çdo provë është ende larg zbulimit të një piste konkrete apo të identifikimin e autorëve të dyshuar.

Kualifikimi i veprës penale “Vrasje për shkak të rrethanave cilësuese të një personi dhe duke rrezikuar të tjerë”, e kanalizon hetimin vetëm në humbjen e jetës së punonjësit të sigurisë dhe jo në sulmin e pa precedent ndaj një institucioni.

Sulmi i orëve të para të së hënës është dukshëm akt terrorist. Për aq kohë sa autorët apo qëllimi i sulmit nuk dihet, atëherë policia dhe prokuroria e kryeqytetit duhet ta klasifikonin në një vepër më të rëndë

Veprat me qëllime sipas nenit 230 të kodit penal kryhen me qëllim përhapjen e panikut në popullatë ose për të detyruar organe shtetërore, shqiptare ose të huaja, të kryejnë ose të mos kryejnë një akt të caktuar, ose për të shkatërruar apo destabilizuar, në mënyrë serioze, struktura thelbësore politike, kushtetuese, ekonomike ose sociale të shtetit shqiptar, të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Top Channel i është drejtuar me një shkresë Policisë së Shtetit për t’u njohur me ecurinë e hetimeve por deri në këto moment nuk ka marrë përgjigje.

Top Channel