Atentati ndaj 60-vjeçares në Lushnjë/ Shkak, përplasja mes dy familjeve për një sipërfaqe toke! Autori ende i lirë

31/03/2023 11:03

Një ditë pas ngjarjes ku mbeti e plagosur në një atentat shtetasja Bajame Seneja, policia e Lushnjës ende nuk ka rënë në gjurmët e autorit.

Që pas ngjarjes dhe deri në mëngjes janë kryer kontrolle në të gjithë zonën por pa rezultat. Për këtë ngjarje policia në një komunikatë deklaron se ka të dyshuar shtetasin Armando Hasalla.

Ky atentat lidhet me një përplasje që dy familjet me mbiemër Hasalla kanë për pronësinë e një sipërfaqe tokeje. Në 29 korrik të vitit 2021 pas një konflikti midis dy familjeve mbeti i vrarë Romeo Hasalla 30 vjeç ku si autor ishte Kastriot Hasalla, i cili për këtë ngjarje u dënua me 35 vjet burg. Ditën e djeshme në gjykatën e Lushnjës u zhvillua seanca tjetër gjyqësore për bashkëpunëtoret e Kastriotit në ngjarje të cilët ishin vëllai Afrimi dhe djali Marjusi. Në fund të gjykimit gjykata vendosi për Afrime Hasalla 2 vite burg ndërsa Marjus Hasalla 1 vite e gjashtë muaj burg.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore rrugës për në shtëpi ndaj makinës ku udhëtonte Marjusi se bashku me hallën e tij është qëlluar me armë. Për këtë ngjarje, Afrimi akuzon familjen e Shaip Hasallës djalin e tij Armando Hasalla.

Një ditë pas atentatit, Shaip Hasalla shprehet se nuk ka lidhje me këtë ngjarje. Ai deklaron se kjo ngjarje është e inskenuar nga vetë familja e Kastriotit. Djemtë e mi janë në Itali dhe Greqi. Pas kësaj ngjarjeje, ai shprehet se ndjehet i kërcënuar dhe ka kërkuar ndihmën e policisë.

Lexo edhe: Atentat për hakmarrje? Bashkëfshatari plagos 60-vjeçaren, vëllai i saj vrau kushëririn pas konfliktit për tokat

Autori i plagosjes së 60-vjeçares në fshatin Ballagat të Lushnjës është identifikuar si shtetasi me inicialet A.H.

Bajame Seneja mbeti e plagosur në këmbë, pasi iu bë pritë nga persona që lëvizën me makinë tip “Volswagen”. Ajo ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel