Dy helikopterë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përplasën gjatë një misioni stërvitor mbi Kentaki mbrëmjen e së mërkurës, çka besohet se mund të ketë shkaktuar disa të vdekur sipas BBC.

Guvernatori Andy Beshear e cilësoi këtë një ngjarje shumë të rëndë e kërkoi nga publiku të luten për të gjithë të prekurit.

“Kemi marrë lajme të këqija nga Fort Campbell, pas raportimeve të hershme për një përplasje helikopterësh ku priten fatalitete”, thuhej në postimin e tij në Twitter fill pas incidentit.

Raportet në mediat vendase megjithatë tregojnë se përplasja ndodhi në 21.35 me orën lokale, kur dy ekuipazhe të ushtrisë amerikane po fluturonin me helikopterë të llojit HH60 Blackhawk. Sipas tyre, nga aksidenti mund të kenë humbur jetën deri në 9 vetë. Pas përplasjes, helikopterët kanë rënë në Trigg të Kentakit, në perëndim të bazës ushtarake Fort Campbell.

Ushtria amerikane se pohoi përfshirjen e helikopterëve të saj në incident. “Aktualisht jemi të fokusuar tek kujdesi për pjesëtarët e shërbimit dhe familjarët e tyre”, tha një zëdhënës i Fort Campbell për BBC-në. Helikopterët e përfshirë janë nga Divizioni 101 Ajror, i cili është vetmi divizion i sulmeve ajrore në ushtrinë amerikane dhe është dërguar në zonat e konfliktit anembanë botës.

Top Channel