Betejë ligjore në SHBA/ Macron dhe bashkëshortja padisin Candace Owens për pretendimet tronditëse për identitetin gjinor të Brigitte

09/11/2026 19:30

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, kanë ndërmarrë hapa ligjorë kundër komentatores amerikane Candace Owens, duke e akuzuar për shpifje dhe përhapje të pretendimeve të pavërteta lidhur me identitetin gjinor të Zonjës së Parë të Francës.

Çifti presidencial ka paraqitur një padi federale në Nashville të Tennessee-s, duke kërkuar përgjegjësi ligjore nga Owens për deklaratat dhe teoritë konspirative që ajo ka promovuar publikisht prej vitit 2024.

Në qendër të padisë janë pretendimet e komentatores konservatore se Brigitte Macron ka lindur burrë dhe se më vonë ka marrë identitetin e një personi tjetër. Macronët i konsiderojnë këto deklarata të pavërteta dhe thellësisht dëmtuese për reputacionin dhe jetën e tyre private.

Sipas dokumentit gjyqësor, padia është dorëzuar më 4 nëntor në Gjykatën Federale për Qarkun e Mesëm të Tennessee-s.

Sipas padisë, Owens i bëri publike pretendimet e saj në mars të vitit 2024, duke deklaruar se ishte aq e bindur për atë që pretendonte, saqë ishte e gatshme të vinte në rrezik të gjithë reputacionin e saj profesional.

Ajo më pas i dha hapësirë kësaj çështjeje përmes një serie podcastesh me tetë episode, të titulluar “Becoming Brigitte”, si dhe përmes publikimeve të shumta në rrjetet sociale.

Macronët pretendojnë se komentatorja vazhdoi të përhapte këto deklarata edhe pasi ndaj saj ishte ngritur një padi tjetër për shpifje në Delaware, në korrik të vitit 2025.

Në dokumentet e reja gjyqësore, çifti pretendon gjithashtu se Owens e ka shfrytëzuar këtë çështje për përfitime financiare, duke promovuar dhe shitur produkte me përmbajtje tallëse ndaj tyre, si dhe duke kërkuar donacione për mbulimin e historisë.

Përpara padisë së re, Macronët kishin nisur një proces gjyqësor në Delaware, por Owens u tërhoq nga ajo çështje më 27 tetor 2026, pa paragjykim, pasi kishte kundërshtuar juridiksionin e gjykatës.

Tashmë, avokatët e çiftit argumentojnë se Tennessee është vendi i përshtatshëm për zhvillimin e gjyqit, pasi Owens jeton në Nashville dhe, sipas tyre, materialet që përmbajnë pretendimet janë krijuar dhe publikuar nga ky shtet.

Macronët kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e pretenduara, përfshirë dëme faktike dhe ndëshkuese. Ata kërkojnë gjithashtu një urdhër gjykate që ta ndalojë Owens të ripublikojë deklaratat që mund të cilësohen si shpifëse.

Top Channel