“Jemi gati ta takojmë këtu”! Vetëm pak pasi Xi Jinping ishte në Moskë për një vizitë dy ditore e takime me Vladimir Putin, presidentit kinez i mbërrin një ftesë edhe nga kreu i shtetit ukrainas, Volodimir Zelensky.
“Dua të flas me të”, tha Zelensky duke iu referuar Xi Jinpinit, i cili paraqiti në kryeqytetin rus planin kinez të paqes, por që thirrjeve të presidentit ukrainas nuk i ka kthyer ende përgjigje. Në intervistën e dhënë Associated Press, Zelensky pretendon se kërcënimi i fundit i Putinit për të dërguar armë bërthamore taktike në Bjellorusi kishte për qëllim të largonte vëmendjen nga mungesa e garancive që ai mori nga Pekini.
“Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se vizita nuk ishte e mirë për Rusinë“, tha Zelensky. Pas takimit të Xi-së me Putinin në Moskë, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden që shprehur se Kina po konsideron të rrisë mbështetjen e saj ushtarake për Rusinë, vendi deri më tani nuk e ka bërë realitet një gjë të tillë. Moska sakaq nisi një stërvitje në shkallë të gjerë, në të cilën janë përfshirë mbi 3 mijë trupa ushtarake dhe raketa ndërkontinentale Yars.
Kremlini deklaroi se lufta hibride me Perëndimin do të zgjasë shumë, duke nënkuptuar jo vetëm atë në terren, por edhe në rrafshin politik dhe ekonomik. Ndërkohë, Rusia i dërgoi dhe një paralajmërim Suedisë e Finlandës, duke thënë se në momentin që dy vendet nordike do t’i bashkohen NATO-s, kjo do t’i kthejë në shënjestra “legjitime të masave shpaguese ruse, përfshirë dhe ato të natyrës ushtarake”.
Top Channel