Zbulohet plantacioni me kanabis në Malësi të Madhe, 8 mijë rrënjë në 27 sera, në pranga 52-vjeçari

29/03/2023 09:23

Një megaoperacion anti-kanabis është zhvilluar në Malësi të Madhe të Shkodrës, ku janë zbuluar 27 sera me bimë narkotike.

Gjatë kontrollit masiv të territorit, u zbuluan 27 sera brenda të cilave ishin kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Fidanët në kubikë, ishin gati për t’u shpërndarë, me qëllim kultivimin e tyre në tokë.

Në pranga ka rënë 52-vjeçari Nesti Delaj alias Errnest Veshtaj, i dyshuar si organizatori i kësaj veprimtarie kriminale. Në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë gjahu, municion luftarak dhe 5 armë të ftohta (thika) që i mbante pa leje.

Po ashtu, po  ndiqen penalisht, për shpërdorim detyre, Gjovalin Gjekaj, 61 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe; Roland Gjekaj, 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe Arben Hysaj, 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë).

Policia kishte marrë informacion se në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”, në Koplik, qendër, në një krater që ka shërbyer për marrje inertesh, mund të kultivoheshin bimë narkotike në sera, kanë organizuar dhe zhvilluar megaoperacionin policor antikanabis të koduar “Krateri”.

Si rezultat i këtij megaoperacioni, 20 metra në thellësi të këtij krateri, janë evidentuar serrat me kanabis.  Grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka sekuestruar prova të vlefshme që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjithashtu, vijon puna në vendngjarje me qëllim përcaktimin e saktë të numrit të fidanëve, sekuestrimin e një sasie fidanësh në cilësinë e provës materiale, asgjësimin e pjesës tjetër të fidanëve dhe agjësimin e bazës materiale që ka shërbyer për kultivimin e fidanëve narkotikë në kubikë, proces i cili do të pasqyrohet përmes pamjeve filmike dhe fotografike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel