Terroristët, tre ditë të lirë/ Policia vendosi një shpërblim për kapjen e autorëve, po verifikohen informacionet

29/03/2023 20:00

Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë që kur policia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve një numër telefoni për të dhënë informacion të vlefshëm për autorët e sulmit terrorist ndaj Top Channel, me premtimin e dhënies së 100 mijë eurosh dhe anonimitet të plotë, në këtë numër telefoni kanë ardhur disa informacione që po verifikohen nga grupe të veçantë pune.

Punonjësit e policisë po verifikojnë në terren kamera sigurie në Tiranë dhe jo vetëm si edhe targa makinash që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

Pavarësisht këtyre kërkimeve, policia nuk ka në dorë ndonjë të dhënë të besueshme që mund t’i çojë tek atentatorët por hetimi vijon. Grupi hetimor është i bindur se atentati terrorist është i mirëmenduar dhe autorët kanë vëzhguar ambientet e Top Channel për të vepruar në një moment të favorshëm.

I dyshimtë mbetet fakti që autorët zgjodhën të braktisin makinën në autostradë. Me dyshimet se mjeti ka pasur defekt policia ka nisur verifikimet në shume servise në kryeqytet, Elbasan, Durrës, Krujë dhe qytete të tjera.

Nga ana tjetër policia po ngushton pistat e hetimit të ngritura ditën e parë të sulmit pasi disa kanë rënë sepse nuk është gjetur asgjë e vlefshme që të mund të çojë hetimin në një tjetër nivel.

Top Channel