Ndihmonte emigrantët shqiptarë të kalonin me pasaporta false në Angli dhe Amerikë, në pranga 54-vjeçari

29/03/2023 13:25
Foto ilustruese

Një 54 vjeçar është arrestuar pasi ndihmonte emigrantët shqiptarë të kalonin në Angli apo në Amerikë me pasaporta të falsifikuara.

Eduard (Eduart) Haxhiu është dënuar me 7 vjet e 4 muaj burgim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

54 vjeçari i ka kryer këto vepra penale gjatë periudhës 2019-2022. Policia ka mundur ta lokalizojë të shpallurin në kërkim, banues në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Tiranë/Vijojnë operacionet për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Finalizohet operacioni policor i koduar “Lokalizimi”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale. Ndihmonte emigrantë shqiptarë, që të kalonin në Angli dhe në Amerikë, me pasaporta të falsifikuara, lokalizohet dhe vihet në pranga 54-vjeçari i dënuar me 7 vjet e 4 muaj burgim. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Lokalizimi”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit: – Eduard (Eduart) Haxhiu, 54 vjeç, banues në Tiranë. 54-vjeçari është dënuar me 7 vjet e 4 muaj burgim, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Gjatë periudhës 2019-2022, ky shtetas ka ndihmuar emigrantë shqiptarë që të kalonin në Angli dhe në Amerikë, me pasaporta të falsifikuara. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sipas njoftimit të policisë.

Top Channel