Kombet e Bashkuara kanë thënë se një aktivist për edukimin e vajzave është arrestuar këtë javë në Kabul, si dhe u kanë bërë thirrje talibanëve që të sqarojnë arsyen e ndalimit të tij.
As zëdhënësit e Ministrisë së talibanëve për Informacion dhe as ata të agjencisë së inteligjencës, nuk u janë përgjigjur kërkesave për të komentuar apo konfirmuar ndalimin.
“Matiullah Wesa, udhëheqës i (Pen Path) dhe mbrojtës i të drejtës së grave për edukim, është arrestuar të hënën në Kabul”- ka thënë Misioni i OKB-së në Afganistan përmes një deklarate, raporton REL.
“UNAMA u bën thirrje autoriteteve de facto që të japin detaje për vendndodhjen e tij, arsyet e arrestimit dhe t’i sigurojnë atij përfaqësim ligjor dhe kontakt me familjen”.
Wesa ka vite që mbron të drejtën e grave për edukim, sidomos në zonat më konservatore. Organizata e tij, Pen Path, ka mbajtur disa takime me pleqtë e fiseve dhe i ka inkurajuar komunitetet dhe autoritetet që të hapin shkolla.
Administrata e talibanëve ua ka ndaluar edukimin shumicës së grave. Ato mund të vijojnë vetëm shkollimin fillor, por jo edhe atë të mesëm apo universitar.
Zyrtarët kanë thënë se janë duke punuar në rihapje të shkollave, mirëpo pa dhënë afate kohore kur mund të ndodhë diçka e tillë.
Top Channel