Në orën 12.40 minuta, selia qendrore e Top Channel në Mëzez u qëllua nga persona të armatosur me kallashnikovë. Një nga rojet mbeti i vdekur në vend, ndërsa nuk ka ende një pistë për këtë ngjarje të rëndë ku sulmohet një media.
Pal Kola, 60 vjeç, punonjësi i Top Medias me detyrë roje sigurie humbi jetën nga sulmi i armatosur i kryer dhe i urdhëruar nga persona ende të paidentifikuar. Kola, baba i tre fëmijëve , i punësuar prej gjashtë muajsh pranë Top Channel gjendej në detyrë ashtu si dhe një pjesë e stafit që angazhohet si turni i tretë dhe të cilëve po ashtu ju rrezikua jeta.
Policia deklaron se vrasësit udhëtuan me shpejtësi me mjetin “Range Rover” në ngjyrë të zezë dhe në ecje e sipër zbrazën një karikator arme Ak – 47. Njëri nga plumbat goditi për vdekje punonjësin Pal Kola, jeta e të cilit fatkeqësisht ishte e pamundur të shpëtohej. Ndërsa plumbat e tjerë të zbrazur ndaj godinës së Top Channel dëmtuan fasadën kryesore dhe rrezikuan jetën e punonjësve që konsiderohen nga hetuesit si dëshmitarë dhe për këtë arsye janë marrë në pyetje. Gjatë kqyrjes së ambientit të jashtëm dhe të brendshëm policia sekuestroi gëzhoja të shumta edhe në brendësi të zyrave.
Ndërkohë që deklarohet se hetimi do të referohet për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese në dëm të Pal Kolës dhe duke rrezikuar jetën e shumë të tjerëve. Menjëherë pas atentatit mafioz dhe terrorist, autorët u larguan nga Tirana sipas një plani të organizuar ku dyshohet se ishte përpiluar me hollësi ora e mesnatës, dita dhe fakti që në fundjavë nuk ka shumë patrulla policie. Autorët e kanë djegur makinën e krimit në afërsi të Kavajës në vendin e quajtur Përroi i Agait, duke lënë brenda mjetit dy kallashnikovët e përdorur, që janë përcjellë për ekaziminime të mëtejshme në Policinë Shkencore së bashku me një pjesë të targës po ashtu të vjedhur.
Nga kqyrjet e kamerave të sigurisë grupi i hetimit shpreson se do të zbërthejë itenerarin e automjetit me të cilin udhëtuan vrasësit përpara se të qëllonin ndaj Top Channel.
Shenjat e plumbave në godinë nuk janë gjurmë plumbash të zakonshëm, të atyre krimeve që raportohen përditë. Këto janë gjurmë plumbash ndaj fjalës së lirë. 25 plumba kallashnikovi u zbrazën ndaj një mediaje, në vitin 2023.
Top Channel