Kush është Andy Burnham? Deputeti që rikthehet në Parlamentin britanik dhe kërcënon vendin e Starmer

19/06/2026 12:20

Andy Burnham nuk është një emër i panjohur në garat për lidershipin e Partisë Laburiste në britani. Më shumë se një dekadë më parë, ai kandidoi dy herë për drejtimin e partisë, por pa arritur sukses.

Tashmë, ai mbështetet nga një numër i konsiderueshëm deputetësh laburistë si një figurë që mund të ndihmojë në rikthimin e partisë pas muajsh të dobët në sondazhe dhe rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet e majit.

Fitorja e Burnham në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield i dha atij një rikthim në Parlament, pasi ai mposhti kandidatin e Reform UK, i cili u rendit i dyti me më shumë se 9 mijë vota diferencë.

Ai gjithashtu arriti të rrisë përqindjen e votave të Partisë Laburiste nga 45% në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024 në rreth 55%.

Përtej rezultatit elektoral, rikthimi i tij në Parlament ishte një hap i rëndësishëm, pasi kandidatët për drejtimin e partisë duhet të jenë deputetë.

Përpara zgjedhjeve të pjesshme, Burnham tha se do të merrte pjesë në çdo garë të mundshme për lidership për të sfiduar kryeministrin Sir Keir Starmer, nëse do të siguronte një vend në Parlament.

Fëmijëria dhe formimi

I lindur në Liverpool në vitin 1970, Burnham u rrit në Culcheth, një fshat pranë Warrington. Babai i tij, një inxhinier në BT, dhe nëna e tij, një recepsioniste mjekësore, ishin mbështetës të fortë të Partisë Laburiste.

Ai ka treguar se interesi i tij për politikën nisi që në moshën 14-vjeçare, i ndikuar nga drama televizive e BBC-së “Boys from the Blackstuff”, e cila trajtonte jetën sociale dhe ekonomike në Liverpool.

Një tifoz i përhershëm i Evertonit, Burnham ishte i apasionuar pas sportit dhe luante kriket për ekipin e shkollës së Lancashire.

Ai studioi anglisht në Universitetin e Kembrixhit dhe më pas nisi karrierën në gazetari, përpara se të hynte në politikë.

Nga deputet në kryetar bashkie të Mançesterit të Madh

Në fillimet e karrierës politike, Burnham punoi si studiues për ish-deputeten Tessa Jowell, e cila më vonë shërbeu si ministre në qeveritë e Tony Blair dhe Gordon Brown.

Ai u zgjodh deputet për Leigh në vitin 2001 dhe më pas mbajti poste të ndryshme ministrore në qeveritë laburiste, përfshirë atë të sekretarit të kulturës dhe sekretarit të shëndetësisë.

Gjatë periudhës si sekretar i kulturës, Burnham luajti një rol të rëndësishëm në kërkesën për një hetim të ri mbi tragjedinë e Hillsborough, ku në vitin 1989 humbën jetën 97 tifozë të Liverpoolit.

Në vitin 2010, pas dorëheqjes së Gordon Brown, ai kandidoi për drejtimin e Partisë Laburiste, por u rendit i katërti dhe humbi përballë Ed Miliband.

Në vitin 2015 ai kandidoi sërish për lidership, por u mposht nga Jeremy Corbyn.

Në vitin 2017, Burnham u largua nga Parlamenti për të kandiduar për postin e kryetarit të bashkisë së Mançesterit të Madh, garë të cilën e fitoi me mbi 60% të votave. Ai u rizgjodh në vitin 2021 me një rezultat edhe më të fortë.

“Mbreti i Veriut”

Si kryetar bashkie, Burnham u vlerësua për reformimin e transportit publik në rajon. Nën drejtimin e tij, Mançesteri i Madh u bë zona e parë jashtë Londrës që riktheu kontrollin publik mbi shërbimet e autobusëve.

Profili i tij kombëtar u rrit gjatë pandemisë së COVID-19, kur ai u përplas me qeverinë konservatore për masat kufizuese në veri të Anglisë. Për këtë qëndrim ai mori nofkën “Mbreti i Veriut”.

Në vitet e fundit, Burnham ka shfaqur ambicie për t’u rikthyer në politikën kombëtare. Ai ka mbështetur disa politika të krahut të majtë të Partisë Laburiste, përfshirë shtetëzimin e ujit dhe energjisë.

Fillimisht, rikthimi i tij në Parlament u pengua, por pas rezultateve të dobëta të Partisë Laburiste në zgjedhje dhe rritjes së presionit ndaj udhëheqjes së Keir Starmer, mundësia e rikthimit të tij u hap.

Pas zgjedhjes si kandidat i Partisë Laburiste në Makerfield, Andy Burnham siguroi rikthimin e tij në Westminster dhe tashmë shihet si një nga figurat që mund të luajë rol të rëndësishëm në të ardhmen politike të partisë.

Top Channel