Sulmi me armë ndaj Top Channel është jo thjesht kriminal, por më i egri ndaj një mediaje në Shqipëri, shkruan deputeti socialist Erion Braçe në një reagim për ngjarjen e natës së kaluar, ku një roje sigurie u qëllua për vdekje nga persona të paidentifikuar.
Braçe i shpreh ngushëllimet familjes së Pal Kolës dhe kërkon vënien para përgjegjësisë së autorëve sa më parë.
“Duke pasur të shënjuar në mendje humbjen e tmerrshme dhe ende të pazbardhur të themeluesit të medias më të madhe në vend, sulmi i sotëm është edhe më i rëndë.
Nuk është ngjarje banave apo e lidhur me arsye banale e gjitha kjo!
Liria e Top Channel nuk është liria e një ndërmarrjeje private, por është liria e shprehjes e secilit në këtë vend.
Ndaj, secili sot duhet të dijë se autorët dhe qëllimin e tyre dhe përgjigjen duhet ta japë shteti. Ai është një ndër garantët e lirive tona.
Mbështetje maksimale e policisë së shtetit për të bërë detyrën deri në fund, zbulimin e vënien para përgjegjësisë së autorëve, tani, sa më parë!
Ngushëllime pa fund për humbjen e jetës së punonjësit në detyrë, ngushëllime familjes së tij!
Solidaritet me Top Channel, çdo gazetar, çdo punonjës të tij!
Patjetër që jeta vjen e para, por liria është çështja jona!
Kurajo!”
Top Channel