Hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë të mëngjesit të sotëm në Top Channel po vijojnë, ndërsa janë mbledhur prova të rëndësishme në lidhje me situatën e paprecedentë.
Drejtori i Përgjithshëm i policisë Muhamed Rrumbullaku zhvilloi një mbledhje me strukturat ku u analizuan të gjitha provat nga vendi i ngjarjes si dhe nga mjeti i lënë pas nga autorët, i cili ndodhet në drejtorinë e policisë së Tiranës, ku i është nënshtruar disa kontrolleve të imtësishme nga ekspertët.
Burimet thonë se janë gjetur prova të vlefshme, të cilat janë përcjellë në laboratorin shkencor dhe pritet të nxjerrin profile ADN-je dhe shenjë gishtash të cilat do të verifikohen nga databasat e policisë për të zbuluar nëse mund të ketë një emër për sulmin ndaj Top Medias.
Ka persona të shumtë të shoqëruar si të dyshuar, që janë mbajtur në drejtoritë vendore e më pas janë përcjellë në policinë e Tiranës, ku i është bërë një ekzaminim për faktorë plotësues në duar për të parë nëse kanë qëlluar me armë zjarri.
Një pikë tjetër ku po fokusohen hetimet janë pamjet e kamerave të sigurisë dhe itinerari që kanë ndjekur autorët deri në “Përroin e Agait” ku braktisën mjetin dhe i vunë flakën dhe në brendësi lanë dy kallashnikovët, të cilët po ashtu po ekzaminohen nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale apo jo.
Top Channel