Takimi me Kurtin/ Presidenca zbardh detaje, Begaj: Të gjenden mekanizmat, dakordësia e Ohrit duhet respektuar plotësisht!

26/03/2023 12:17

Presidenti Bajram Begaj priti sot kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një njoftimi për mediet, zyra e Presidencës bën me dije se: “Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.”

I ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, më 18 mars 2023, kreu i Lartë i Shtetit vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, Begaj shprehu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA