Prindërit në Florida u ankuan se statuaja e Mikelanxhelos është ‘pornografi’, drejtoresha jep dorëheqjen

25/03/2023 21:15

Një drejtor shkolle në Florida ka dhënë dorëheqjen pasi një prind u ankua se studentët ishin ekspozuar ndaj pornografisë gjatë një mësimi mbi artin e Rilindjes.

Mësimi, i dhënë për 11 dhe 12-vjeçarët, shfaqi skulpturën e Davidit të Mikelanxhelos, si dhe pikturën e tij Krijimi i Adamit dhe Lindja e Venusit nga Botticelli.

Një prind u ankua se materiali ishte pornografik dhe dy të tjerë thanë se donin paralajmërim paraprak përpara se mësimi t’u jepej fëmijëve të tyre. Hope Carrasquilla, drejtoresha e shkollës klasike Tallahassee, dha dorëheqjen e saj pas një ultimatumi nga kryetari i bordit të shkollës, raportuan mediat lokale.

“Më trishton që koha ime këtu duhej të përfundonte në këtë mënyrë,” tha ajo.

Skulptura e Mikelanxhelos e heroit biblik David është një nga objektet më të famshme në historinë e artit perëndimor. Paraqitja e statujës ka qenë pjesë e një debati shekullor rreth artit që shtyn kufijtë dhe rregullat e censurës.

Në vitet 1500, kur Kisha Katolike Romake e konsideronte ‘lakuriqësinë’ si të pahijshme dhe të turpshme, gjethet metalike të fikut mbulonin organet gjenitale të statujave si Davidi.

Një riprodhim i Davidit u bë në 1847 për t’u ekspozuar në V&A. Kur mbretëresha Victoria pa për herë të parë riprodhimin e tij, ajo me sa duket ishte aq e tronditur nga lakuriqësia e tij, saqë një gjethe fiku proporcionalisht e saktë u porosit për të mbuluar organet gjenitale, sipas faqes së internetit të galerisë.

Top Channel