Dobitë shëndetësore të agjërimit, dietologu tregon çfarë ndodh me organizmin

24/03/2023 17:19

Nga e enjtja e 23 marsit, për besimtarët myslimanë në të gjithë botën ka filluar një muaj i shenjtë i Ramazanit. Gjatë këtij muaji, ata agjërojnë duke hequr dorë nga ushqimi dhe pija që nga agimi deri në perëndimin e diellit. Kjo për të përmbushur një prej shtyllave kryesore të islamit.

E përveç dobive shpirtërore, agjërimi sjell me vete edhe një mori efektesh pozitive shëndetësore. Ismail Lutolli, Subspecialist-Dietolog-Nutricionist, tregon për Telegrafin se agjërimi është ‘shërim i heshtur’ i tërë organizimit të njeriut.

Kjo pasi siç thotë ai, gjatë këtij procesi organizimi i agjëruesit pastrohet nga toksinat si dhe tepricat e tjera të krijuara gjatë tërë vitit.

Njeriu ka nevojë për një nisje të re në jetën e tij. Organizmi ka nevojë për ripërtëritje dhe regjenerim të përgjithshëm. Muaji Ramazan është rasti ideal për një nisje të re. Agjërimi për organizmin është një pushim dhe ripërtërije nga niveli qelizor e tutje. Pra, është një shërim i heshtur i tërë organizmit duke eliminuar toksinat e tepricat tjera të krijuara gjatë një viti”, shprehet Lutolli.

Sipas Lutollit, agjërimi i muajit Ramazan është rasti ideal që me një dietë të ekuilibruar të arrijmë të largojmë tepricat e grumbulluara, të shtojmë vetëkontrollin në ushqim dhe të ndodhin tri gjëra të rëndësishme në organizëm:

-detoksikimi

-regjenerimi

-mjekimi i përgjithshëm

Shpeshherë ne e teprojmë në shumë gjëra gjatë jetës, kështu ndodhë edhe me ushqimin që marrim. E tërë kjo tendencë sjellë deri te pesha e tepërt (obeziteti) dhe çrregullimet tjera me shëndetin. Përfshirë sëmundjet e ndryshe (kardiovaskulare, malinje etj)”, shprehet tutje Lutolli.

Në këtë gjendje vazhdojmë me tendencat tjera që me dieta të shpejta dhe sforcimin e skajshëm fizik, të rikthejmë peshën dhe e tërë kjo e thellon edhe me shumë çrregullimet e shëndetit. Në këtë gjendje shpeshherë edhe të pashpresë, vie një muaj, muaji Ramazan kur ndryshimet janë të mundshme, me pak vullnet dhe angazhimin tonw”.

E për të gjithë ata që agjërojnë, nutricionisti ka disa këshilla sa i përket mënyrës së të ushqyerit.

Ajo që duhet të kemi kujdes është që vaktet t’i organizojmë mirë dhe të marrim sasi të mjaftueshme të ujit apo lëngjeve”, thotë ai treguar se kjo arrihet duke mos e tepruar me sasi të mëdha të ushqimit, por duke pasur kujdes që ushqimi të cilin e konsumojmë të përmbajë të gjithë përbërësit e nevojshëm si proteina, karbohidrate, yndyra të shëndetshme, vitamina dhe minerale. Lutolli gjithashtu sugjeron që të rritet numri i vakteve në mënyrë që të mos shfaqen probleme metabolike.

Gjatë periudhës së agjërimit, të gjithë ata që mbajnë Ramazan, ushqehen në dy vaktet kryesore, siç janë iftari dhe syfyri, por është shumë e rëndësishme rritja e numrit të vakteve, për të mos përjetuar probleme metabolike. Për këtë arsye, mundohuni të konsumoni edhe një vakt pas iftarit ose para gjumit së paku 1 orë”.

Ai thotë se Ramazani është muaj i shëndetit dhe sugjeron agjëruesit që të mos i ndalin veprimtarinë, punën dhe aktivitetet tjera ku kërkohet edhe angazhim fizik.

“Muaji Ramazan është muaj i shëndetit dhe aktiviteti në fushën intelektuale si mësimi, studimet duhet të jetë i plotë”, shprehet mes tjerash nutricionisti.

Lutolli ka disa sugjerime edhe sa i përket ushqimeve që preferohet të konsumohen gjatë Ramazanit. Ai thotë se për iftar duhet të konsumohen ushqime që treten lehtë dhe shpejt, ndërsa për syfyr ushqim që përpunohet më ngadalë.

Nuk kemi nevojë të konsumojmë në iftar sasi të dyfishuar të ushqimit, pasi në këtë mënyrë do të ngarkojmë tërë organizmin duke filluar nga lukthi, mëlçinë, zemrën etj. Pra, sasia e ushqimit duhet të jetë sa për një vakt normal. Ushqimin duhet ngrënë ngadalë dhe duhet përtypur mjaftueshëm. Duhet të konsumojmë ushqime të pasura me vitamina dhe minerale, pemë dhe perime, në veçanti ato sezonale”.

Sipas tij, ka shumë rendësi edhe konsumimi i sasisë së mjaftueshme të ujit, por jo përnjëherë, pra herë pas here – pasi kjo është mënyra me e drejt e përthithjes nga organizmi, qelizat.

Agjërimi duhet të ndërpritet në iftar me hurma dhe një gotë ujë, në të cilën do ishte mire të kishte të shtrydhur disa pika nga lëngu i limonit. Ata që praktikojnë ritualin e faljes së namazit, do të ishte mire që pasi kanë ngrënë dy hurme dhe kanë pirë një gotë ujë, të vazhdojnë me faljen (namazin) e pastaj të rikthehen për ushqim. Të tjerët që nuk praktikojnë faljen, është mirë që pasi të kenë ngrënë hurmen dhe një gotë ujë të pushojnë për pak minuta dhe pastaj vazhdojnë me ndonjë pemë (por pa kore)”.

“Pastaj mund të vazhdojnë me supë, e këshilluar do ishte që supa të përgaditej në shtëpi.Pas një pauze mund të hanë ushqimin kryesor (mish i zier mirë apo lehtësisht i përpunuar, peshk, patate, oriz, sallatë e freskët, perime. Mund të përdoren edhe ndonjë nga frutat e thata si kumbulla, fiq, kajsi, rrush pasi kanë fibrat dhe nutrientë të ndryshëm në përmbajtje”.

“Pas ngrënies së iftarit dhe pushimit do të ishte mire të praktikoni ecjen në natyrë për së paku 45 min. Ata që falen nuk kanë nevojë për këtë ecje pasi rituali i faljes së namazit (teravive) përmban përpos anës shpirtërore edhe aktivitet fizik të theksuar”.

Sa i përket vaktit të ndërmjetëm mes iftarit dhe syfyrit, nutricionisti sugjeron që të merrni një vakt apo racion të lehtë.

“Ushqimet që preferohen për këtë vakt janë: sallatë të pemëve, sallatë me mish pule, mund të përdorni edhe kafe me ëmbëlsira të përgatitura në mënyrë të shëndetshme”, tregon ai.

Lutolli thotë se ushqimi i syfyrit nuk duhet neglizhuar asnjëherë, por duhet respektuar si një vakt i rëndësishëm.

Syfyri duhet të jetë ushqim cilësor si: drithërat dhe makarona integrale, arra, fruta me misër, fruta të thata, perime, ushqime bishtajore, peshk, mish, kos me fruta të ndryshme, supë me thjerrëza ose bizele, djathë, vezë, vajra me cilësi të lartë. Pas mbarimit të syfyrit pihet edhe një apo dy gota ujë dhe ju jeni të përgatitur për agjërimin e ditës në vijim”.

Në fund, ai tregon edhe se cilat janë ushqimet që duhet të evitohen gjatë muajit Ramazan.

Përdorimi i shpeshtë i kafes dhe çajit të zi, ushqime të skuqura, ushqime të përgatitura shpejt dhe në mikrovalë, ushqime me përmbajtje të lartë të yndyrave, ushqimet shumë aromatike, ëmbëlsirat e shumta si bakllava dhe ngjashëm, pijet e gazuara apo edhe ato të ëmbëlsuara me sheqer duhet të shmangen (në vend të hidratimit, ato bëjnë të kundërtën)”, përfundon Lutolli.

Sipas traditës islame, Ramazani është muaji kur vargjet e para të Kur’anit, iu shpallën Profetit Muhamed më shumë se 1,400 vjet më parë dhe përfshinë agjërimin. Nata e saktë e shpalljes është objekt debati mes dijetarëve, por besohet se është një nga datat me numër tek gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit.

Gjatësia e ditës së agjërimit në vendin tonë do të jetë ndërmjet 12.5 orëve deri rreth 14 orë. Akti i “prishjes” së agjërimit në perëndim të diellit njihet si iftar, ndërsa vakti para agimit që i paraprin agjërimit njihet si syfyr.

Besimtarët inkurajohen gjithashtu që të përmirësojnë sjelljen e tyre dhe të shmangin sharjet, grindjet, thashethemet dhe dembelizmin, pasi ato gjëra pakësojnë “shpërblimin shpirtëror të agjërimit”. Përfundimi i këtij muaji do të jetë më 20 prill, gjë që pason me festën e Fitër Bajramit.

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit, krahas deklarimit të besimit në Zot dhe pranimit të Profetit Muhamed si të dërguar të Tij, pesë faljeve ditore (namazi), Haxhit dhe dhënia e lëmoshës ose bamirësia (Zekati).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA