Muzeu i Alfabetit në Maqedoninë e Veriut nuk ka ende të zgjidhur çështjen e pronësisë.

Në katin përdhe janë ende të dukshme reklamat e bizneseve. Kjo pasi kati përdhe dhe një pjesë e oborrit është në pronësi private.

Ndonëse shtëpia ka qenë në pronësi të atdhetarit Fehim Zavalani, në kadastrën e Manastirit emri i tij nuk rezulton asgjëkundi. Regjistrimi i parë i kësaj prone në kadastër është bërë në vitin 1932. Çuditërisht shtëpia me sipërfaqe 266 m2 dhe 500 m2 oborr rezulton në pronësi të Jovanovic Kirkova Hrisulla, nga Manastiri.

Më 1964, me vendim trashëgimie në kadastrën e Manastirit shkruhet se Kirkova mban gjysmën e kësaj pasurie, ndërsa gjysmën ua kalon dy djemve: Kirkova Jovanov Mirosllav dhe Kirkova Jovanov Darko.
Në 1972 bëhet një ndarje e re dhe Darko pjesën e tij ia dhuron vëllait, Mirosllav.

Më 1981 përsëri me vendim nga komuna dhe nga gjyqi themelor shkruhet se Kirkovic Jovan Mirosllav, i cili rezulton pronar i kësaj prone, jeton në Beograd. Pra një serb bëhet pronar i shtëpisë së Alfabetit të gjuhës shqipe.

Më 1982 me kontrate për shit blerje nga gjyqi themelor Manastir, shënohen se Kirkovic Jovanov Mirosllav është pronar me 1/4 dhe komuna e Manastirit pronare me 3/4 e oborrit.

Më 1986 nëpërmjet gjyqit themelor të Beogradit shënohet pronar Ziziç Jovan. Në vitin 2003 me vendim për transformim te tokes si pronar rezulton Zizic Jovan me 1/4 të oborrit dhe komuna e Manastirit me ¾.
“Inside Story” ka mundur të sigurojë dokumentin nga Kadastra e Manastirit që tregon se edhe sot e kësaj dite pronar i oborrit, është Ziziç Jovan.

Më 2009, kur edhe kjo shtëpi u kthye në muze, me matjen e re me hapësire 988 m2, katin përdhe e merr Millovshski Zllatko. Si pasojë e çështjes së pronësisë së pazgjidhur, muzeu i ka duart e lidhura.

“Një e katërta e oborrit është pronë private, ndërsa tre të katërtat i përket komunës së Manastirit. Kam bërë kërkesë që të na e hedhin në pronë dhe ta kemi ne si institucion.Kati përdhe, dy dyqanet, nuk janë në pronë të muzeut por janë në shfrytëzim të muzeut, ministria e kulturës na jep një fond prej 1500 euro në muaj që i paguan si qira”, u shpreh Zait Aliu, Drejtor i Muzeu të Alfabetit.

Problemet e shumta por edhe përmbajtja e vakët kanë bërë që muzeu të mos ketë vizitorë, përveçse ditën e alfabetit.

“Jo vetëm për 22 nëntor, ne kemi nevojë për gjatë gjithë vitit të kemi vizitorë, se një muze pa vizitorë është si një muze i vdekur. Muzeun e mbajnë të gjallë vizitorë”, u shpreh Zait Aliu.

Top Channel