Krerë republikanë, aleatë e rivalë potencialë të Donald Trumpit në garën për të nominuarin e partisë në zgjedhjet presidenciale të 2024-tës, i kanë dalë në mbrojtje ish-presidentit pas deklaratave të tij se pret të arrestohet gjatë ditës së sotme.

“Ideja se ndaj një ish-kryetari shteti të SHBA-së mund të ngrihet aktpadi më trazon mua thellësisht, ashtu siç bën me dhjetëra milionë amerikanë të tjerë”, deklaroi ish-zv/presidenti Mike Pence, i cili pritet gjerësisht të nisë brenda disa javëve fushatën e vet për nominimin republikan.

Trump pretendon se prangosja e tij do të bëhej për një pagesë prej 130.000 dollarëshe ndaj yllit të filave për të rritur, Stormy Daniels, më 2016. Daniels kontaktoi asokohe disa media duke u ofruar shitjen e materialeve të një afere, që ajo thoshte se kishte pasur më Trumpin në 2006.

Ekipi i tij u angazhua ta mbyllte çështjen dhe avokati  Michael Cohen u tha se e pagoi Danielsin që të heshte. Diçka e tillë është e paligjshme. Kur Trump e rimbursoi Cohenin, në regjistrat zyrtarë thuhet se pagesa është kryer nën arsyetimet për angazhime ligjore.

Prokurorët kanë thënë se kjo vërteton që Trump i ka falsifikuar dokumentet e biznesit, çka përbën vepër penale në Nju Jork. Prokurorët ka mundësi që të supozojnë se diçka e tillë shkel edhe ligjin zgjedhor, sepse tentimet e tij për të fshehur pagesën e kryer për Danielsin, janë motivuar nga dëshira që votuesit të mos e marrin vesh aferën.

Fshehja e një krimi, duke falsifikuar dokumentet, në Shtetet e Bashkuara trajtohet si shkallë më e lartë krimi, sesa shkeljet tjera. Por ky rast nuk është fort I qartë. Ekzistojnë pak shembuj për një gjykim të tillë, dhe tentativat në të kaluarën për të akuzuar politikanët që kanë tejkaluar linjën mes financave të fushatës dhe shpenzimeve personale, kanë përfunduar me dështime.

Nëse arrestohet, Trumpi do të bëhet ish-presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballet me akuza penale. Nëse ai dënohet për shkelje të rëndë, mund të dënohet me katër vite burg, ndonëse disa ekspertë ligjorë parashikojnë se gjoba është më e mundshme, dhe se vënia e ish-presidentit pas hekurave, pak gjasa ka që të ndodhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA