Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, priti sot ambasadorët, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar.

Në këtë takim aii i informoi ata për ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe për rezultatin e arritur aty me rastin e dakordimit publik për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë.

Në tekst të Aneksit të dakorduar në Ohër thuhet që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksit, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Aty po ashtu thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

Kryeministri Kurti theksoi se delegacioni i Republikës së Kosovës kanë qenë maksimalisht të përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që u refuzuan nga pala tjetër, e cila, sikurse në Bruksel me 27 shkurt, përsëri refuzon të nënshkruajë.

Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ai tha se Kosova tashmë ka numrin e nevojshëm të votave të shteteve anëtare, ndërkohë që departamenti ligjor i Këshillit ka konfirmuar se nuk ka asnjë pengesë juridike për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel