Kualifikim me përmbysje, United eliminon Fulham dhe siguron biletën e gjysmëfinales

19/03/2023 20:20

Manchester United kualifikohet për në raundin gjysmëfinal të FA Cup. Në Old Trafford, “Djajtë e Kuq” mposhtën me shifrat 3-1 Fulham falë golave të Bruno Fernandes dhe Marcel Sabitzer.

Në fakt, sfida nuk ishte e lehtë për United duke qenë se kaluan në disavantazh në minutën e 50-të teksa i ndëshkoi sulmuesi kryesor i Fulham, Mitrovic.

Gjithsesi, miqve iu “rrëzuan” të gjitha planet në momentin kur Willian u ndëshkua me karton të kuq pasi preku qëllimisht topin me dorë ndërsa në të njëjtën minutë edhe Mitrovic nuk përmbajti nervat duke shtyrë arbitrin.

Në këtë formë, United përfitoi maksimalisht me Bruno Fernandes që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë ndërsa dy minuta më pas Sabitzer realizoi përmbysjen e rezultatit.

Në fundin e lojës, United shënoi sërish me anë të Fernandes për të vulosur kualifikimin me të besuarit e trajnerit Manchester United që kalojnë në gjysmëfinalen e FA Cup, aty ku i pret përballja me Brighton.

Top Channel