Arrestimi i nënës në Shkodër ka sjellë debat në Kuvend mes opozitës dhe maxhorancës.
Deputetja demokrate Dhurata Çupi kërkoi ndryshimin e rendit të ditës në Kuvend për burgosjen e nënës lehonë. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Çupi tha se është e padrejtë dhe e dhimbshme të ndash fëmijën nga nëna.
“Është një ngjarje e rëndë, e dhimbshme , e rënde, dëshpëruese. Ne këtu duhet të kemi një seancë debati për ngjarjen e gruas lehonë në Shkodër që u arrestua. Ne duhet të kemi një diskutim me ministrin e Drejtësisë. S’duhet të ketë asnjë seancë tjetër përpos kësaj. Drejtësia është e padrejtë me njerëzit e thjeshtë. Këtu para disa ditësh s’ngeli deputet pa uruar 8 marsin për like dhe sot s’ka asnjë reagim. Kështu duhet të niste sot seanca plenare.”- tha Çupi.
Deputetja e PS, Klotilda Bushka është shprehur se s’ka nevojë për debat, teksa tha se po merren masat e nevojshme.
“Është i parashikuar qartësisht se një nënë lehonë s’mund të mbahej me një fëmijë në burg. Se ku ka çaluar çështja i takon organeve të drejtësisë nuk ka nevojë për debat. Gjithsesi jemi në një mendje me ju, këto ngjarje nuk mund të ndodhin. Jemi mbledhur, kemi diskutuar dhe siç kemi vepruar gjithnjë do të bëjmë punën tonë që rastet e tilla mos të përsëriten. Thënë këtë nuk është hera e parë që ne do duhet të veprojmë dhe do të jemi të kujdesshëm. Marsi nisi me vrasjen grave, erdhi i përgjakur. Dhe ne do të vijojmë të marrim masat përkatëse me çfarë mund të bëjmë më mirë. U bej thirrje organeve të drejtësisë të përshpejtojnë zgjidhjen e çështjes në fjalë.”- tha Bushka.
Ministrja Elisa Spiropali kërkoi gruaja të lirohet nga burgu. Ajo tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me avokatin e nënës lehonë ndërsa shtoi se për ngjarjen ka reaguar që dje pasi nuk përdor çështje sensitive si kjo për politikë.
“Së pari dhe mbi të gjitha dua të them që Djana Baçja duhet liruar menjëherë. Gjykatësi që ka marrë kërkesën duhet ta lirojë sot, jo nesër. Unë s’kuptoj se cili prokuror, Gjykatës etj arreston, kërkon ndërrimin e gjobës me burgim për një nënë lehonë. Duhet që institucionet të përshpejtojë procedurat që ajo grua të dalë nga burgu dhe të shkojë te fëmija e saj. S’kemi lënë seancën për të bërë politikë. Unë kam folur me avokatin dhe jam në kontakt të vazhduar. Gratë mbahen më gjatë në burg sesa burrat. Kjo padrejtësi sistemike duhet të adresohet dhe kjo s’bëhet me propagandë bëhet me ligj dhe me ndërgjegjen e atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve.”- tha Spiropali.
“Po e marr nga ngjarja e fundit ministrja Spiropali duhet të ishte çuar e para të kërkonte të diskutohej për nënën lehonë që e lëmë fëmijën 7-ditëshe, familja ka përjetuar dramë pas drame, një mbesë ka lënë shkollën vetëm 11 vjec për tu kujdesur për foshnjën, ju duhet të kishit folur e para. Zonja Nikolla ka sjellë nje amendim ligji për dhunë në familje, ai ligj duhej diskutuar sot, kjo ndodh sepse kemi një kryeministër të dhunshëm”, tha nga ana tjetër Vokshi.
Top Channel