Kopshti i mrekullueshëm japonez i fshehur prapa fasadës normale të shtëpisë në Britani (fotot)

14/03/2023 16:44

Shoferi i kamionit Martin Fitton ka shpenzuar 14 vjet për të transformuar kopshtin e pasëm të shtëpisë së tij në Bristol, në Britaninë qendrore, në një parajsë japoneze qetësie, dhe tashmë ka marrë njohjen dhe nga ekspertët e atjeshëm.

Në pamje të parë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme me shtëpinë familjare të Martin Fitton, me hapësira të stilit të vjetër që mirëmbahen nga Martin dhe bashkëshortja e tij Cyndie, 54 vjeçe.

Por sapo del në kopsht, duket se menjëherë transportohesh në një botë orientale, ose më saktë në një parajsë me tematikë japoneze.

Burri njihet për kopshtin e tij dhe tani po njihet edhe në Japoni, ku është shfaqur së fundmi në një program të ANN News – çka e gëzoi pa masë babanë e dy fëmijëve.

“Dola te lajmet në Japoni në nëntor. Ihste e papritur për mua dhe u emocionova,” thotë Martin për rrjetin britanik Mirror.

Kopshtari amator i dedikon bimësisë kohën e tij të lirë, duke ideuar e ndërtuar panoramën e kopshtit të tij prej më shumë se një dekade.

Martin thotë se fillimisht është frymëzuar për iniciativën nga një kopsht publik japonez që kishte vizituar në jug të Anglisë në Dorset në 2009.

Ai shpjegonte: “Edhe gruaja ime pa njëherë në TV një kopsht japonez dhe e pëlqeu, prandaj nisëm të punonin dhe ne në atë mënyrë”.

Tematika e Lindjes së Largët shpejt nisi të përhapej në të gjithë shtëpinë teksa së fundmi një artist pikturoi një grua të veshur me kimono në kopshtin britanik te Martin.

Kopshti i tij ku më parë kacavireshin fëmijët, tani ka një liqen të vogël me peshq, disa prej të cilëve janë më shumë se 10 vjeçarë.

Martin, i cili jeton këtu prej vitit 2001, thotë se hapësira e tij sekrete adhurohet edhe nga fqinjët: “Ata mendojnë se është e mrekullueshme dhe se nuk e besojnë që diçka e tillë është në rrugën e tyre. Gjithmonë konsultohem me ta para se të ndërtoj diçka të madhe, por shumica e gjërave janë të fshehura këtu brenda kopshtit tim. Nuk dallohet nga jashtë prej bimësisë që e rrethon”.

Ai thotë se ka shpenzuar më shumë se 8,000 paundë për të krijuar oazin e tij, por më shumë ka shpenzuar punë sesa para.

“Nuk kam shumë para për të shpenzuar te kopshti prandaj të gjitha i kam blerë me kursim”.

Martin thotë se përdor dru të trajtuar me teknikën japoneze – shou sugi ban – që besohet se e bën materialin të zgjasë deri në 100 vjet.

E gjithë familja, duke përfshirë dhe djalin Rhys, 29 vjeç, dhe bijën Vanessa, 27, vlerësojnë krijimin e Martin. Ai thotë se pas izolimeve e ka hapur kopshtin e tij falas për vizita.

“Shumë studentë japonezë vijnë për ta vizituar dhe thonë se ndjehen si në shtëpi”.

Vitin që shkoi, komentatori japonez i YouTube, Deep Japan, erdhi nga Japonia për të vizituar kopshtin e Martin.

Për të vizituar kopshtin japonez të Martin ai shpërndan të dhëna në faqen online .

FOTO GALERI
4/5
Vitin që shkoi, komentatori japonez i YouTube, Deep Japan, erdhi nga Japonia për të vizituar kopshtin e Martin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA