Gati një vit pas ndarjes së parakohshme nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, është publikuar kënga e tij e titulluar “A je rahat pa mu”. Projekti muzikor është ndarë me publikun nga bashkëshortja e tij, Selvije Jao, e cila përmes një postimi në Instagram ka rrëfyer historinë e këngës dhe emocionet që shoqërojnë publikimin e saj.
Sipas Selvijes, kënga ishte përzgjedhur nga vetë ajo pak para se Shpati të vendoste të bëhej pjesë e “Big Brother VIP Albania 5”. Në atë kohë, këngëtari i kishte dërguar katër versione demo dhe i kishte kërkuar të zgjidhte atë që i pëlqente më shumë. Ajo kishte përzgjedhur pikërisht projektin që tashmë është publikuar.
Plani fillestar ishte që kënga të publikohej gjatë qëndrimit të Shpatit në shtëpinë e “Big Brother”, por kjo nuk u realizua. Selvije tregoi se disa muaj më vonë, producenti i këngëtarit i kishte dërguar këngën të përfunduar.
Selvija zbuloi gjithashtu se për muaj të tërë e kishte mbajtur këngën për vete, pasi nuk ndihej ende gati ta ndante me publikun. Tashmë, ajo e konsideron projektin si një amanet të bashkëshortit, me dëshirën që zëri i tij të vazhdojë të jetojë përmes muzikës.
Titulli “A je rahat pa mu” merr një kuptim të veçantë pas humbjes së këngëtarit, duke u kthyer në një kujtim emocional për familjen dhe fansat e tij.
“Disa këngë, me kalimin e kohës, nuk dëgjohen më njësoj. Disa bëhen kujtime që jetojnë përgjithmonë”, shkroi Selvije Jao në rrjetet sociale.
Top Channel