Çfarë ndodhi me Diddy-n në burg? Reperi amerikan pësoi dëmtim në kokë dhe u dërgua me ambulancë në spital
Këngëtarja e njohur amerikane, Britney Spears, ka rrëfyer se vazhdon të ndihet e hidhëruar për 13 vitet që kaloi nën kujdestari ligjore, një periudhë gjatë së cilës kontrolli mbi jetën dhe çështjet e saj personale e financiare ishte në duart e të tjerëve.
Ylli i muzikës pop publikoi gjatë fundjavës një video në “Instagram”, ku shfaqet e veshur me të brendshme të zeza dantelle, reçipeta në të njëjtën ngjyrë dhe çizme lëkure. Krahas videos, ajo kishte shkruar një mesazh të gjatë, tashmë të fshirë, në të cilin iu përgjigjej atyre që e kishin cilësuar si “të çmendur”.
“Po, jam e hidhëruar”, shkroi 44-vjeçarja, duke iu referuar kohës së humbur dhe kufizimeve që, sipas saj, i penguan të jetonte e lirë dhe të shprehte potencialin e saj si grua.
“Njerëzit thonë se të çmendurit janë zakonisht më të mirët. Do ta pranoj, nuk isha e çmendur, dikur isha fjalë për fjalë e çmendur”, shkroi Spears në postimin e saj, sipas “Page Six”.
Më tej, këngëtarja u shpreh se për rreth 15 vjet nuk kishte mundur të udhëtonte lirisht, madje as për të takuar një mikeshë, për shkak të angazhimeve dhe kufizimeve që shoqëronin jetën e saj.
Ajo përmendi gjithashtu faktin se, sipas rrëfimit të saj, vetëm pesë vjet më parë kishte mundur të mbante për herë të parë një kartëmonedhë një dollarëshe, duke shprehur pakënaqësinë ndaj atyre që, pavarësisht përvojave të saj, vazhdonin ta etiketonin si të paqëndrueshme.
Kujtojmë se Britney Spears u vendos nën kujdestari ligjore në shkurt të vitit 2008, pas një periudhe të vështirë personale dhe krizash që u bënë publike. Në kuadër të këtij mekanizmi ligjor, babai i saj, Jamie Spears, pati rol të rëndësishëm në administrimin e çështjeve të saj financiare dhe personale.
Në korrik të vitit 2021, këngëtarja foli hapur për përvojën e saj përpara gjyqtares Brenda Penny, në një seancë gjyqësore në Kaliforni. Ajo e përshkroi kujdestarinë si abuzive dhe kërkoi që babai i saj të mos kishte më kontroll mbi jetën e saj.
“Mendova se po përpiqeshin të më vrisnin. Nëse kjo nuk është abuzim, nuk e di çfarë është”, deklaroi ajo në atë kohë, duke e cilësuar përvojën si mizore.
Kujdestaria ligjore përfundoi në nëntor të vitit 2021, pas gati 14 vitesh. Që prej atëherë, Spears ka qëndruar e distancuar nga prindërit e saj, përfshirë nënën, Lynn Spears.
Pas përfundimit të kujdestarisë, këngëtarja është përpjekur të rindërtojë jetën e saj personale. Ajo ruan marrëdhënien me dy djemtë e saj, Sean Preston dhe Jayden James, të cilët i ka nga martesa me ish-bashkëshortin Kevin Federline.
Në vitin 2022, Spears u martua me partnerin e saj të atëhershëm, Sam Asghari, por çifti u divorcua në vitin 2024.
Në tetor të vitit 2023, ajo publikoi librin autobiografik “The Woman in Me”, ku rrëfeu përvojat personale, karrierën dhe periudhën e kujdestarisë ligjore.
Ndërkohë, sipas raportimit, këngëtarja u arrestua më 4 mars 2026, nën dyshimin për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Në maj, avokati i saj pranoi në emër të saj një akuzë më të lehtë, të njohur në sistemin ligjor amerikan si “wet reckless”, e cila lidhet me drejtimin e pakujdesshëm të automjetit në rrethana që përfshijnë alkoolin.
Si pjesë e masave të vendosura, Spears u dënua me një vit mbikëqyrje joformale dhe u urdhërua të përfundonte një program edukimi për alkoolin, me kohëzgjatje tre muaj dhe gjithsej 30 orë.
Pavarësisht ndryshimeve në jetën e saj pas vitit 2021, postimi i fundit tregon se këngëtarja vazhdon të shprehë publikisht pakënaqësinë për atë periudhë dhe për ndikimin që, sipas saj, pati në jetën personale dhe lirinë e saj.
Top Channel