Lajm i mirë për Barçën, për “El Classicon” kthehet “truri” i mesfushës

13/03/2023 17:51

Më pak se një muaj më parë, më 16 shkurt, Pedri u largua nga fusha në minutën e 41-të në sfidën ndaj Manchester United në Europa League për shkak të dëmtimit, por, nëse asgjë nuk shkon keq, mesfushori i talentuar pritet të jetë në dispozicion të Xavit për “El Clasicon”, kundër Realit Madridit, takim që mund të vendosë përfundimisht fatin e titullin kampion.

Lajmi i mirë për Barçën, pasi Pedri ka nisur këtë të hënë stërvitjen me grupin, ndjesitë janë të mira dhe lojtari nuk dëshiron ta humbasë përballjen ndaj “Los Blancos”.

Gjatë mungesës së Pedrit, Barcelona u eliminua nga Europa League. Në Kupën e Mbretit, skuadra “blaugrana” fitoi minimalisht në “Bernabéu”, 0-1, por me një qasje shumë mbrojtëse, që shkaktoi shumë debate. Në La Liga, katalanasit pa Pedrin kanë humbur me Almerían, si dhe kanë arritur tri fitore ndaj Cádizit, Valencias dhe Athletic Bilbaos. Pikërisht, në këto dy ndeshjet e fundit, sërish me një gol të vetëm.

Nëse nuk ka surprizë në minutën e fundit, Pedri do të jetë risia kryesore në skuadrën e Barcelonës. Ai do të luajë ndeshjen e shtatë kundër Realit të Madridit me fanellën e Barcelonës.

Me rikthimin e mundshëm të Pedrit, Xavit do t’i mungonte për shkak të lëndimit vetëm Dembélé. Francezi, i cili po rikuperohet nga një dëmtim në këmbën e majtë, dëshiron shumë të rikthehet, por mjekët i bëjnë thirrje të jetë i kujdesshëm. Ai nuk mund të rikthehet deri në fillim të prillit.

Top Channel