Pas denoncimit të skandalit nga Fiks Fare mbrëmjen e së enjtes lidhur me legalizimin e një shtëpie në Durrës, ku sekserët kërkonin nga 4 deri në 6 mijë euro për një procedurë që duhej të bëhej vite më parë, është arrestuar njëri prej tyre.

Në pranga ra sekseri 53-vjeçar Lulzim Çyrbja, banues në Durrës. Policia thotë se ai është shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke folur në emër të drejtuesve të Kadastrës së Durrësit, në rolin e sekserit.

Për të legalizuar banesat ai kërkonte shuma nga 4000 deri në 6000 euro.

Në Fiks Fare u ankua Selman Ferati, i cili ka filluar të ndërtojë një shtëpi banimi në zonën e plazhit në Durrës. Ai thotë se katin e parë e ka ndërtuar në vitin 1998, ndërkohë të dytin në vitin 2003. Por, prej kaq vitesh, ai endet në dyert e hipotekës dhe tashmë kadastrës për të marrë dokumentet. “Më kanë nxjerrë lloj-lloj pretendimi. Të gjithë në atë zonë, komshinjtë e mi, kanë hipoteka. Unë jo. Më dolën njëherë faturat, por atëherë s’kisha lekë dhe e shtyva.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Policia e Durrësit ka falënderuar mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre.

 LEXO EDHE: Skandali në Fiks Fare/ Sekserët, ryshfet 4 deri 6 mijë euro për legalizimet në Durrës!

Top Channel