Hetimi për inceneratorët, megjithëse me hapa të ngadaltë po orientohet drejt ish-ministrit Arben Ahmetaj.

Top Channel mëson se me vendim të gjykatës kundër korrupsionit këtë mesditë oficerët e byrosë kombëtare të hetimit kanë ushtruar kontroll në një prej pronave të bashkëjetueses të ish-ministrit në Hamallaj.

Kontrolli është bërë në funksion të dosjes hetimore ngritur për aferën me inceneratorët ku ka prova të dukshme se dhe ish-ministri Ahmetaj ka përfituar favore nga Klodian Zoto si bileta avioni apo akomodime në hotele. Burimet thonë se nga kontrolli janë gjetur shuma të arsyetuara parash dhe asgjë e paligjshme.

Megjithatë, oficerët e BKH dhe SPAK po kryejnë një verifikim të pasurive jo vetëm të ish-ministrit por dhe të ish-bashkëshortes së tij dhe bashkëjetueses në disa rezidenca, kryesisht në Tiranë dhe Durrës.

Përveç dosjes së inceneratorëve, ish-ministri Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij mund të pyeten edhe për lidhjen e afërt me ish-vartësen Alda Klosi, e cila është në masë sigurie arrest me burg për pastrim parash. Ajo u vu në pranga pas një vjedhjeje të inskenuar që kreu sanitarja e saj Rozeta Dobi ku nuk mundi të justifikojë një shumë prej më shumë se 400 mijë euro.

Ish-ministri dhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është i përfshirë në çështjen e inceneratorëve.

Në dosjen e SPAK janë të dhënat e nxjerra nga kompjuteri i administratorit të inceneratorëve Klodian Zoto, i cili gjatë punës për realizimin e koncesionit ka paguar sasi të mëdha parash në favor të udhëtimeve private të ish-ministrit Arben Ahmetaj.

Udhëtimet e kushtueshme të ish-ministrit Ahmetaj me partneren e tij janë paguar nga Klodian Zoto, pronarit të shoqërisë koncensionare të inceneratorëve.

Po këto nuk janë pushimet e vetme që Ahmetaj ka marrë si dhuratë nga Klodian Zoto. Gazetari Doçi, ka publikuar pagesat e reja të Klodian Zotos për Arben Ahmetajn dhe ish-bashkëshorten e tij të parë në Pisa, Vjenë dhe Maltë.

Nëse dokumentet e publikuara në dhjetor 2022 konfirmonin se Zoto ka paguar akomodimin në hotele partneres së Ahmetajt, Erjola Hoxha, faturat e publikuara sot, sipas Doçit konfirmojnë se Klodian Zoto, bosi i inceneratorëve, ka mbuluar udhëtimet edhe të ish-bashkëshortes së Ahmetajt si dhe të vetë Ahmetajt.

Pasi ish-ministri ka firmosur në 14 prill 2014 për koncensionin e inceneratorëve në cilësinë e ministrit të Ekonomisë dhe më pas ka lëvruar fondet publike në cilësinë e ministrit të Financave, Zoto i ka kthyer reston, duke i mbuluar shpenzimet Ahmetajt, ish-bashkëshortes si dhe partneres. Pagesat e Klodian Zotos për mbulimin e udhëtimeve dhe akomodimin në hotele me 5 yje të Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij, i përkasin periudhës 2015-2016. Me paratë e inceneratorëve, çifti Ahmetaj ka vizituar simbolet turistike të Evropës. Udhëtimet dhe akomodimet në hotele luksoze përkojnë me hyrje-daljet e shënuara në sistemin TIMS.

Faturat e hoteleve me 5 yje për Ahmetajn dhe partneren e tij, përkojnë kryesisht me fundjavat. Për këto fatura, dy prokurorët e SPAK që po hetojnë dosjen, nuk e kanë thirrur në asnjë moment të vetëm Arben Ahmetajn për ta pyetur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA